Loading...

Në kishën ku vuri kurorë Skënderbeu me Donikën !

Sipas historisë, në 23 prill të vitit 1451, Gjergj Kastrioti Skënderbeu kurorëzoi martesën me Donikën (Andronikën), vajzën e madhe të Gjergj Arianitit, kryezotit të Kaninës, në afërsi të Vlorës.

Kjo martesë, sipas historianëve, shërbeu edhe për të forcuar aleancat e Skënderbeut në jug të Arbërisë. Në atë vit, Skënderbeu ishte 46 vjeç, ndërsa Donika, 23 vjeçe. Shpura e madhe e dasmorëve, që mbërriti në Kaninë në 23 prill, do të qëndronte aty tre ditë.

Në ndryshim nga studiues të tjerë, historiani vlonjat, prof.dr.Bardhosh Gaçe, thotë se “ceremonia e vendosjes së kurorës (bekimit ungjillor), u zhvillua në një kishë të vogël, që ndodhet pranë Kaninës, rreth 2-3 km në lindje të saj”.

Sipas tij, kjo kishë, për shkak të konstruksionit me gurë të bardhë, është emërtuar ndryshe edhe Kisha e Bardhë, që i ka dhënë emrin edhe një fshati që ndodhet pranë saj, Qishbardhë. Me këtë emër vazhdon të njihet sot ky fshat, që është ndanë rrugës që bashkon Vlorën me krahinën e Lumit të Vlorës (një pjesë e Labërisë).

Por, shumë pak prej banorëve të këtushëm e dinë origjinën e emrit të fshatit të tyre e aq më pak, historinë që lidhet me emrin e Heroit tonë Kombëtar dhe princeshën e Arbërisë e të Kaninës.

Gaçe nënvizon se “kjo kishë e vogël dhe e bardhë, që ndodhet e fshehur në një shpat mali, që qarkon një luginë të thellë, u bë pikënisja e historisë martesore të bashkëshortëve të famshëm. “Nuk ishte manastiri i Ardenicës, por Kisha e Bardhë, vendi ku vendosi kurorë Skënderbeu me Donikën”, thekson historiani Bardhosh Gaçe.

Në fakt, ceremonitë fetare që nisën këtu, vazhduan më pas edhe në Ardenicë, si edhe në Berat. Ndërkohë, vetë Kisha e Bardhë, nga një pjesë e banorëve të moshuar vendas njihet edhe si një ish- manastir shumëshekullor. Madje edhe me një emër tjetër; Manastiri i Kllogjerit, që vjen nga fjala “kallogjer”-murg.

Me këtë informacion, u nisa një ditë në drejtim të vendit, ku mendoja se do të gjeja kishën e famshme. Mësova se ai vend ishte braktisur prej dekadash. Gjithashtu, një grua e moshuar, deri vonë vazhdonte të ndizte qirinj në mjediset e kësaj kishe, ku shkonte e vetme dhe humbiste një ditë dhe një natë. Prej vitesh, në këtë vend, nuk shkelte askush. Kjo edhe për shkak të terrenit tepër të thyer, ku mungojnë edhe ato që në terminologjinë popullore, quhen “shtigje dhish”.

Duke pyetur banorët vendas, në afërsi të fshatit Qishbardhë së bashku me një mikun tim, u shkëputëm nga rruga kryesore dhe vazhduam në drejtim të jugut, përmes një segmenti të ndërtuar me çakëll, për të shfrytëzuar një kavë guri.

Vazhduam për disa kilometra, aq sa mund të lëviznim me makinë dhe më pas e lamë atë në një lëndinë, pranë disa kodrave të larta. Vazhduam përreth 500 metra në këmbë në një mjedis shkurresh, duke ndjekur një shteg të ngushtë. Lëvizja sa vinte dhe vështirësohej, ndërkohë që në horizont nuk dukej asgjë. U kthyem. Mendova se gjithçka ishte vetëm një legjendë dhe në realitet nuk mund të kishte mbetur asgjë nga kisha e famshme mbi 7 shekullore.

Teksa shpresëthyer po nisja autoveturën në rrugën e kthimit, dy banorë të zonës, që po prisnin dru në luginën e një përroi të vogël, na rikthyen besimin. “Manastirin e Kllogjerit kërkoni(?) Po, është në atë drejtim, por do t’ju duhet të lodheni ca, sepse është në një shpat mali të lartë, ku me zor mund të ngjitesh”.

Më i moshuari prej tyre, një 65 apo 70 vjeçar, kishte qenë aty vite më parë. Më tregoi madje, se mbante mend që ekzistonin ende muret e kësaj kishe, apo manastir siç e quante ai. Duke mbajtur një sëpatë të vogël në dorën e djathtë, ai na tregoi drejtimin se ku mund të ecnim. Me më tepër besim, korrigjova itinerarin e mëparshëm. Ecja në këmbë bëhej gjithnjë e më e vështirë.

Një shteg i ngushtë mes shkurreve të dendura, që vendasit i quajnë “xina” apo “përralla”, humbiste diku. Gjurmët e dhive zhdukeshin gjithashtu. Kishin kaluar dy orë, kur në një mjedis natyror ku perspektiva e luginës vazhdonte pambarim, arritëm të dallonim muret e bardhë. Ato ngriheshin shumë pranë kreshtës së asaj kodrine(mali) të lartë, në një mjedis shkëmbor.

Na duhej të linim drejtimin e lëvizjes dhe të ngjiteshim pingul shpatit, duke u mbajtur fort pas shkurreve. Në mesditë ishim pranë objektivit. Muri perëndimor i godinës së kishës apo manastirit, ishte i ruajtur në një gjendje shumë të mirë. Gurët e latuar, të marrë nga ky mjedis shkëmbor, ku ngrihej edhe vetë kisha, ishin të lidhur me gëlqere, sipas teknologjisë dhe traditës së zonës. Në fasadën e godinës, në pjesën jugore të saj, dera kryesore e dikurshme, përfaqësonte tashmë një si “gojë” të hapur, përmes së cilës futesh në sallën kryesore të kësaj kishe. Është një hapësirë me përmasa 3×4 metra. Përgjatë mureve, pjesërisht të rrëzuara, dallohen kthinat që i ndeshim rëndom në kishat ortodokse.

Më tej, vazhdojnë edhe dy dhoma të tjera, njëra prej të cilave e ruan ende çatinë prej guri. Brenda saj mund të hysh përmes një tuneli tepër të ngushtë, ku mund të kalohet vetëm duke u zvarritur. Mjedisi është tepër mistik dhe nga lartësia e mureve të kishës, dallohet kalaja e famshme e Kaninës, 2-3 km në perëndim.

Për të ardhur prej saj këtu, nuk duhen më shumë se 2 orë. Më tej, në horizont, spikasin me radhë ishulli i Sazanit, Zvërneci, Narta. Ndodhemi në një lartësi mbi 450 metra mbi nivelin e detit, rreth 50 më shumë se Kanina dhe pamja që ofrohet është mahnitëse. Gjithë zona shfaqet si në pëllëmbë të dorës.

Pak më tej mureve të kishës, në rrëzë të shkëmbinjve, dallon një tjetër mur guri. Ai vazhdon për dhjetëra metra gjatësi dhe qarkon një hapësirë më të madhe. Mesa duket është muri rrethues, që duhet të ketë pasur edhe një funksion tjetër, atë të mbrojtjes së këtij mjedisi nga rrëshqitja e gurëve dhe e shkëmbinjve.

Përgjatë shekujve, nuk përjashtohet mundësia që kisha e dikurshme e bardhë, të jetë shndërruar në një manastir. Sipas historianëve, ndoshta kjo shpjegon edhe ndryshimin e emërtimit të saj, në atë që disa banorë vendas e quajnë Manastiri i Kllogjerit(Kallogjerëve-murgjve). Madje, këtë e përforcojnë edhe dimensionet e vetë kësaj godine, ende të ruajtur, si dhe e hapësirës që qarkohet nga muri rrethues, shumë më e madhe se e një kishe të zakonshme.

Gjithsesi, pavarësisht ndryshimit të emërtimit të shekuj të saj, nga “Kisha e Bardhë”, në “Manastiri i Kllogjerit”, sipas një pjese të vendasve, ajo ka një histori, që do t’ia kishin zili mjaft objekte të tjera të ngjashme, sepse lidhet me një moment të rëndësishëm të jetës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Prej dekadash, këtu nuk shkel këmbë njeriu. Madje, askush nuk e di me siguri se kur është braktisur ajo, kur janë larguar prej këtu murgjit e fundit për të mos u kthyer më. Ndoshta para 50 vjetësh, ndoshta më shumë se kaq. Por, ajo që është e sigurt, është historia që lidhi jetën e Kryezotit të Krujës me Princeshën e Kaninës dhe të Arbërisë, Donika Kastriotin.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com