Partia Demokratike do të mbledhë muajin e ardhshëm Kuvendin Kombëtar, ku do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në statutin e kësaj partie.
Kuvendi do të mblidhet në datat 28-29 Prill, ndërsa brenda datës 22 mars pritej që grupi i punës të mblidhte të gjitha propozimet për ndryshimet statutore dhe më pas të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar.
Por ky proces duket i pamundur në qytetin e Vlorës, ku mbledhja e kryesisë ka dështuar për të treten herë.
Sot është mbledhur kryesia e Partisë Demokratike të Vlorës për të dhënë udhëzimet për Kuvendin Kombëtar të PD, ashtu siç e ka porositur kreu i kësaj partie, Lulzim Basha, por takimi ka dështuar për të tretën herë, raporton CNA.al.
Në mbledhjen e kryesisë së PD në Vlorë kanë qënë të pranishëm vetëm 11 pjesëmarrës, gjë që tregon një refuzim të hapur nga anëtarët e kryesisë, si një sinjal kundër Lulzim Bashës dhe Kuvendit të tij.
Mesa duket demokratët e Vlorës refuzojnë Kuvendin që vulos përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike.
Për të treten herë nuk zhvillohet dot mbledhja e kryesisë që do të jepte porositë e Bashës për Kuvendin dhe deputetja Mecorapja është detyruar ta pranojë në mbledhje se ky është një refuzim nga demokratët e Vlorës.
Deputetja e PD, Nada Mecorapja ka pranuar dështimin dhe PD-ja në Vlorë duket në ditët e saj më të këqija, ashtu siç nuk ka qënë as në vitin ’97.