Loading...

Shija fantastike e Ballkanit – Pleskavica Tradicionale

Një vizitë në Prizren, Pejë apo Prishtinë nuk mund të imagjinohet pa shijen e mrekullueshme të pleskavicës.

Një lloj qofteje e madhe hamburgeri e pjekur në skarë që shoqërohet  me pite, djathë, salca picante, patate të skuqura, spec djegës, sallatë dhe kastraveca turshi.

Ky lloj hamburgeri i përhapur gjërësisht në mbarë Ballkanin konsiderohet një konkurent superior dhe më i shëndetshëm se çdo lloj panine tjetër e mbushur që serviret në rrjetet e famshme të vendeve perëndimore.

Pleskavica është një qofte e madhe me mish viçi e shtypur me dorë dhe e pjekur në skarë.

Atë mund ta gjeni në çdo restorant apo shtëpi të Kosovës.

E mira e këtij ushqimi është se nuk gjen dy pleskavica të njëjta.

Secila prej tyre është e ndryshme dhe e përshtatshme me dëshirën dhe preferencën e atij që e gatuan, ajo mund të jetë e mbushur me djathë kaçkavall ose pa asgjë.

Ndonjëherë, pleskavica përmban edhe kërpudha.

Ajo konsiderohet  një ushqim i shpejtë, por mund të serviret edhe në restorantet më ekskluzive.

Së fundmi, Pleskavica ka fituar shumë popullaritet edhe në vendet e Evropës dhe serviret në disa restorante në Gjermani, Angli dhe Zvicër.
Receta e Pleskavicës
Përbërësit:
500 gramë mish të grirë viçi ose lope

1 qepë e grirë hollë

2 thelpinj hudhër

1 lugë çaji me piper të kuq pluhur

Kripë dhe piper të zi

Pite rrumbullake për servirje

Vaj, nëse do ta gatuani në tigan dhe jo në skarë
Përgatitja
Merrni një enë të thellë dhe përzieni mishin e grirë, qepët, hudhrën, piperin e kuq, të zi dhe kripën.

Përzierjen duhet ta bëni me dorë në mënyrë që ajo të jetë sa më e plotë dhe e njëtrajtshme.

Enën mbulojeni me letër kuzhine dhe mbajeni në frigorifer për disa orë.

Kur të jeni gati për ta gatuar, atëherë mbushni një enë tjetër me ujë që të mbani duart e lagura sa herë që t’i jepni formë mishit.

Duart e lagura parandalojnë edhe ngjitjen e mishit nëpër duar.

Merrni mish në pëllëmbë të dorës dhe jepini formën rrumbullake e të sheshtë.

Trashësia e qoftes duhet të jetë maksimumi 0.5 cm.

Vendosini qoftet e mëdha në një tepsi, mbulojini me një letër transparente dhe vendosini në frigorifer për një orë.

Nëse do të përdorni skarën apo tiganin, pleskavicat kërkojnë një gatim të shkurtër me nga 5 minuta për secilën anë.

Temperatura nuk duhet të jetë shumë e lartë që mishi të mos digjet dhe në brendësi të jetë i pagatuar.

Pasi qoftet të jenë pjekur, hapini pitet në dysh me një thikë dhe mbushini me turshi, qepë, speca dhe qoften e gatuar.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe djathë, e patate të skuqura.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com