Me ardhjen e pranverës, tashmë që edhe dita me natën u barazuan dhe e para fillon rrugëtimin e saj për t’i marrë sa më shumë kohë errësirës, ka ardhur koha edhe për të ndryshuar orën.
Mesnatën e sotme, duke gdhirë e diela e 25 marsit, do të rikthehet ajo që quhet ndryshe edhe si “ora ligjore”. Ndryshimi do të ndodhë në orën 02:00 pas mesnate, kur akrepat do të avancojnë me 60 minuta, duke treguar menjëherë orën 03:00 të mëngjesit.
Ndryshimi i orës në fakt sjell disa disavantazhe për mirëqenien tonë. Organizmi i njeriut e ndien menjëherë ndryshimin, njësoj siç ndihet lodhja fizike me të cilën përballemi kur kalojmë nga një zonë orare në një tjetër, pas një udhëtimi të gjatë ajror. Sipas disa studimeve, ata që e ndiejnë më shumë ndryshimin janë fëmijët dhe të moshuarit.
Ndryshimi i orës shkakton rritje të stresit dhe një lodhje të përgjithshme, që ndikon edhe në kapacitetin tonë të përqëndrimit. Edhe prej këtij motivi është evidentuar një rritje e numrit të aksidenteve rrugore, më së shumti të hënën e parë pas fundjavës së ndërrimit të orës.