Një luftë tregtare mes SHBA e BE duket të jetë shmangur për momentin. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, BE e partnerë të tjerë do përjashtohen nga doganat ndëshkuese për çelikun dhe aluminin që eksportojnë në SHBA. Një fitore e ndërmjetme për Europën: Në kuadër të samitit të BE vijnë lajme të mira, për krerët e BE, lajme që askush nuk guxonte t’i shprehte me zë të lartë. Tani të gjithë pranojnë se uniteti sjell fryte të mira për të gjithë. Kreu i Komisionit Euroian Jean-Claude Juncker është shprehur se “ne si Komision bëmë të qartë, se nuk duam një luftë tregtare, kjo nuk i vlen askujt, por edhe se jemi në gjendje të marrim masa adekuate.”
Edhe kancelarja Merkel u shpreh e lehtësuar duke theksuar se BE u prezantua në këtë çështje me unitet. “Kjo është gjë e mirë dhe një pohim për tregtinë e lirë dhe kundër proteksionizmit.” Presidenti francez, Emannuel Macron e vlerësoi përjashtimin e europianëve nga doganat ndëshkuese. “Dëshira ime është që të paktën, të vazhdojmë me rregullat e tregtisë botërore që janë të vlefshme për të gjithë ne.”
Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier
Por bisedimet nuk kanë për të përfunduar kaq shpejt. Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier pret bisedime intensive në të ardhmen. Në gjashtë javët e ardhshme kemi mundësinë që “të negociojmë shumë të përqëndruar me palën amerikane”, tha ai për radion gjermane, Deutschlandfunk. Por për momentin ia kemi dalë që të shmangim një situatë të pasigurisë së madhe, tha ai./dw/