Apollonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.
Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apollonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apollonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.
Apollonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin!
Apollonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apolloniate e arteve te bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në momentin kur në Romë, gjatë një komploti në Senat u vra Jul Cezari, nipi i tij Oktavian Augusti studionte oratorinë në Apolloni.
Kronikat romake tregojnë se si ai, me të marrë vesh lajmin e vrasjes së Cezarit u nis me një anije nga Apollonia dhe kur, pas disa kohësh vetë Oktaviani u bë Perandor, e ruajti mirënjohjen për qytetin ku kishte studiuar duke e liruar Apolloninë nga të gjitha taksat.
Pas një tërmeti në shek. III e.s lumi Aoos ndërron shtrat duke e shkëputur qytetin nga deti. Goditja rezultoi fatale në një epokë kur i gjithë aktiviteti tregtar zhvillohej në lidhje me detin. Qyteti e humbi gradualisht rëndësinë ekonomike duke u shndërruar në një qendër të thjeshtë fetare.
Por shuarja graduale dhe jo e dhunshme e jetës qytetare si dhe shndërrimi i zonës përreth në kënetë, të bonifikuar vetëm pas vitit 1945, bëri që zona arkeologjike të ruhet mjaft mirë. Arkeologët e quajnë Apolloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
Me interes të madh për vizitorin në Apolloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj.
Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë, si dhe rruga automobilistike në gjendje të shkëlqyer, pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër, e bëjnë Parkun Arkeologjik Apolonia lehtësisht të arritshëm për vizitorin dhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri.