Hajdar MUNEKA
ish ambasador në Kinë
Një shprehje e vjetër kineze thotë se planet e një viti bëhen në pranverë. Dy javë më parë e gjithë Kina, madje edhe bota, i mbajti sytë dhe veshët në Pekin. Çdo vit në fillim të pranverës në kryeqytetin kinez zhvillohen dy nga veprimtaritë më të rëndësishme kombëtare, mbledhja e Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Popullit Kinez. Kinezët i thërrasin shkurt: Dy Mbledhjet. Dallimi midis tyre është se, ndërsa në të parën delegatët që përfaqësojnë organizata e grupime të ndryshme politike e shoqërore nga e gjithë Kina, japin vlerësime e sugjerime me karakter konsultativ, në të dytën votohet për vendime të rëndësishme. Asambleja Kombëtare në Kinë është njëlloj si Kuvendi në Shqipëri, por, ndryshe nga ai, ajo mblidhet një herë në vit. Pjesën tjetër puna bëhet në komisione, ose në bazë.
Duhet thënë se gjithnjë gjatë dy javëve të Dy Mbledhjeve në të gjithë Kinën, por sidomos në Pekin, mbizotëron një atmosferë festive. Sheshi Tian An Men, ku ndodhet edhe Salla e Madhe e Asamblesë të Popullit, merr një gjallëri të paparë. Qindra gazetarë nga vendi, por edhe nga mediat më prestixhioze botërore, përfshirë edhe ato shqiptare, i ndjekin me interesim të veçantë punimet e mbledhjeve dhe reagimin e publikut kinez. Ky interesim kaq i madh justifikohet me faktin se çështjet që diskutohen dhe vendimet që merren në atë sallë janë mjaft të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e Kinës, por me ndikim edhe në botë. Kina sot zhvillon një diplomaci të vendit të madh me influencë të padiskutueshme në shumë rajone dhe konstruktive në zgjidhjen e jo pak çështjeve ndërkombëtare.
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Popullit Kinez e këtij viti mori një rëndësi krejt të veçantë. Ajo ishte e para e sesionit të 13-të të saj, i cili zgjat pesë vjet, dhe përcaktuese e perspektivës së zhvillimit të gjithë Kinës për pesë vitet e ardhshme. Gjatë punimeve të saj u theksua se Kina tashmë po hyn në një epokë të re të socializmit me ngjyra kineze, i cili si detyrë parësore do të ketë realizimin e modernizimit të plotë të të gjithë shoqërisë dhe rilindjen e kombit kinez. Duket se në vitin që sapo kemi hyrë, shumë i rëndësishëm për planin e 13-të pesëvjeçar, por edhe më tej, puna do të përqëndrohet në pesë drejtime kryesore: ekonomi, politikë, kulturë, sociale dhe ekologji. Kina hyn në këtë fazë të re të zhvillimit të saj me objektiva të qarta. Ndër më kryesoret janë ndërtimi i një shoqërie mesatarisht të pasur, thellimi i reformave gjithëpërfshirëse, qeverisje në bazë të ligjit dhe forcimi i disiplinës në parti.
Pesë vjet në jetën e një vendi e të një populli janë shumë, për më tepër në jetën e vendit me popullsinë më të madhe të botës e me një ekonomi të konsoliduar. Tashmë një gjë është e qartë, edhe në pesë vitet që do vijnë reforma kineze jo vetëm që nuk do të ketë ngadalësim, por, përkundrazi, ajo do të thellohet edhe më tej dhe do të shtrihet në të gjitha fushat dhe sferat e jetës. Ky është konfirmimi më i mirë se vendimi i marrë para dyzet vjetësh për reformat dhe hapjen e Kinës kanë qenë të domosdoshme. Mbledhja konfirmoi se socializmi me ngjyra kineze ka qenë dhe mbetet zgjedhja më e mirë që ka bërë Kina. Rezultatet që ajo ka arritur në fushën e ekonomisë, shkencës, kulturës, teknologjisë apo edhe në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës dëshmojnë se vështirë se mund të kishte një zgjedhje tjetër që të rezultonte kaq e suksesshme. Ndaj, duke qenë të bindur se socializmi me ngjyra kineze është baza kryesore ideologjike për rilindjen e kombit kinez Mbledhja vendosi që kjo të sanksionohet edhe në kushtetutën e vendit. Ideologjia drejtuese e Partisë Komuniste të Kinës është shndërruar në ideologji drejtuese të shtetit. Tani prioritet kryesor është unifikimi i parreshtur i orientimeve të asaj partie me vullnetin e vendit dhe të popullit.
Si në raportin e qeverisë të mbajtur nga kryeministri Li Keqiang ashtu edhe nga diskutimet e deputetëve u theksua se qëllimi final i reformave është që njerëzit të jenë më të lumtur, jeta e tyre të jetë më e sigurtë dhe më e begatë. Asgjë nuk vlen më shumë se jeta e njeriut dhe mirëqenia e tij.
Kam patur fatin që, për shkak të detyrës, të marr pjesë në disa seanca të Asamblesë Kombëtare të Popullit kinez, por ajo më mbresëlënëse ka qenë seanca e parë e Asamblesë së Katërt e vitit 1975, të cilën e kam ndjekur në kohë reale, kur isha student në Pekin. Kur kryeministri i asaj kohe Zhou Enlai shpalli idenë e katër modernizimeve të Kinës, ku objektiv ishte kapërcimi i varfërisë dhe krijimi i një shoqërie kineze me njerëz të pasur, shumë pak vetë e besuan. Dhe ja ku jemi pas më shumë se 40 vitesh. Sipas Global Times, dhjetë milionë kinezë dalin çdo vit nga varfëria dhe se deri tani është reduktuar më shumë se 70% e varfërisë totale. Problem vazhdon të mbetet zhvillimi i pabalancuar dhe rritja e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve. Duke e konsideruar këtë si kontradiktën më të mprehtë në gjirin e popullit, asambleja aktuale e konsideroi si detyrë të dorës së parë zvogëlimin e këtij hendeku dhe krijimin e mundësive reale që të gjithë të kenë mundësi për t’u pasuruar.
Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës mori edhe një sërë vendimesh mjaft të rëndësishme në përmirësimin e qeverisjes së vendit. Ajo vendosi shkurtimin e dikastereve qëndrore dhe disa institucioneve shtetërore, duke kërkuar një reformë rrënjësore dhe gjithëpërfshirëse në këtë drejtim.
Dikur Mao Ce Duni ka thënë se “ka shumë rrezik që ata që u rezistuan topave të artilerisë gjatë luftës, të bien viktimë e topave prej mjalti”. Fjalën e kishte për korrupsionin në radhët e personave drejtues. Sesioni i fundit i asamblesë kineze i shpalli luftë të hapur korrupsionit. Këtë e bëri jo me fjalë e parulla, por me vepra. Për herë të parë në historinë e Kinës u krijua Komisionit Kombëtar i Mbikqyrjes, një organizëm i cili do të veprojë nga qendra deri në bazë. Ai do të verifikojë pasuritë e të gjithë personave drejtues të institucioneve qëndrore e vendore dhe do të ndjekë dhe evidentojë çdo hap korruptiv që bie ndesh me interesat e popullit. Duhet theksuar se lufta pa kompromis kundër korrupsionit ka qenë deviza e presidentit Xi Jingping që ditën e parë të zgjedhjes së tij në atë post.
Ngjarje tjetër mjaft e shënuar e Asamblesë së kësaj radhe ka qenë edhe një ndryshim kushtetues që lidhet me vazhdimësinë e posteve në krye të udhëheqjes së vendit. Ndryshe nga deri tani, u vendos që posti i presidentit të vendit dhe zëvendësit të tij të mos jetë i kufizuar. Kjo ka ngjallur debat në qarqet jashtë Kinës, sidomos në radhët e atyre që nuk e njohin sa dhe si duhet filozofinë e funksionimit të gjërave në Kinë, por edhe në gjithë Azinë. Vende të mëdha si Kina nuk nxjerrin domosdoshmërisht çdo vit ose çdo pesë vjet drejtues të aftë e të zotë, që të jenë në gjendje të prodhojnë ide e lidership. Qysh nga vdekja e Mao Ce Dunit vendin me popullsinë më të madhe të botës e kanë drejtuar gjashtë presidentë, por bota mban mend vetëm njerin, Ten Hsiao Pinin, i cili në fakt nuk ka qenë asnjëherë as president dhe as kryeministër i vendit, por vetëm një udhëheqës shpirtëror vizionar. Pa asnjë dyshim presidenti aktual Xi Jinping është personi tashmë i konfirmuar si njeriu më i suksesshëm në krye të Kinës, ndoshta qysh nga koha e Tenit, i shquar për idetë e tij si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të politikës së jashtme. Dikur pjesa më e madhe e njerëzve ishin skeptikë kur Kina e shpalli socializmin me ngjyra kineze si formën më të mirë të sistemit që ajo kishte zgjedhur. Tani që u provua drejtësia e atij vendimi duhet të jemi të duruar e të besojmë se kinezët dinë të zgjedhin.
Mbledhja e Asamblesë ka bërë vlerësimin e duhur për punën e deritanishme të diplomacisë kineze dhe ka përcaktuar detyrat për të ardhmen. Është fakt se një politikë e jashtme e hapur dhe konstruktive i ka dhënë Kinës një emër mjaft të mirë e të nderuar në të gjithë botën. Ajo ka bërë që reputacioni dhe autoriteti i saj të njohë rritje të vazhdueshme. Nisma “Brezi dhe Rruga” e shpallur pesë vite më parë tashmë është pranuar nga më shumë se 60 vende të botës dhe ka hyrë në fazën e implementimit. Platforma 16 + 1 ka rritur në mënyrë të ndjeshme bashkpunimin midis Kinës dhe vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore, duke hapur në ato vende mundësira të reja investimi sidomos në fushën e infrastrukturës. Kina tashmë ka krijuar profilin e saj në botë. Tani mund të themi me plot bindje se “diplomacia me ngjyra kineze” ka ofruar apo lehtësuar zgjidhjen e shumë problemeve me rëndësi globale. Në këtë mënyrë ajo është një faktor i rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare në synim të krijimit të një komuniteti ndërkombëtar me fat të përbashkët.