Aeroporti i Vlorës është një nga veprat më të mëdha infrastrukturore, që pritet të ndërtohet në mandatin e dytë qeverisës të kryeministrit Edi Rama, e cila po nxiton të krijojë kushtet e favorshme për nisjen e punimeve.
Së fundmi qeveria ka miratuar një vendim për përzgjedhjen e kompanisë konsulente për të negociuar me konsorciumin turk, që do të ndërtojë dhe operojë në aeroportin e Vlorës. Aty thuhet se fondi limit është 20 milionë lekë pa përfshirë TVSH-në, ndërsa oferta kualifikuese do të vlerësohet në bazë të çmimit të ofruar dhe përzgjedhja do të bëhet për ofertën më të ulët.
Në vendimin e marrë sot nga Këshilli i Ministrave ngarkohet Ministria e Infrastrukturës që të krijojë komision për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”. Ky komision duhet të përbëhet nga jo më pak se 3 anëtarë, specialistë të fushës përkatëse të autoritetit kontraktor (juristë, ekonomistë dhe inxhinierë), i cili duhet të identifikojë shoqëritë konsulente që ofrojnë shërbime në fushën e fushën e këshillimit juridiko-financiar e teknik.
Në pikën 4 të vendimit, thuhet se numri i shoqërive të identifikuara nuk duhet të jetë më pak se tre kompani dhe se “komisioni fton të gjitha shoqëritë që të paraqesin dokumentacionin për të provuar kapacitetin e tyre për përmbushjen e objektit të kësaj kontrate, brenda një periudhe jo më shumë se 7 ditë nga data e dërgimit të ftesës. Ftesa dhe kriteret e përzgjedhjes duhet të përmbajnë elementet që përcaktohen në këtë vendim”.
Në përfundim të vlerësimit, komisioni harton një raport përmbledhës për zhvillimin e procedurës dhe ia paraqet për miratim titullarit të autoritetit kontraktor. Midis kushteve që duhet të plotësojë kompania, është edhe nënpika C, pikës 4, sipas të cilës, kompania duhet të ketë të paktën “një kontratë për shërbim të ngjashëm, të realizuar brenda tri viteve të fundit. Shërbimi duhet të jetë ofruar dhe realizuar për një investim me vlerë minimale 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) euro si dhe të kenë një xhiro vjetore mesatare të tri viteve të fundit jo më pak se 50% të vlerës së investimit”./Shqip