Veshjet popullore të traditës në trevat e Vlorës janë të shumëllojshme dhe mund të shndërrohen në një resurs të vërtetë për zhvillimin e turizmit kulturor. Sipas piktorit te njohur vlonjat, Hilmi Bani, “kjo shumëllojshmëri ngjyrash dhe stilesh në konceptimin e veshjeve popullore është mjaft interesante në këndvështrimin artistik dhe përbën ndoshta edhe një veçori krahasuar me rajone të tjera të vendit”.
Kjo mund të shfrytëzohet mirë në funksion të tërheqjes së turistëve të huaj, sepse veshjet popullore të traditës janë objekt i vazhdueshëm interesi për turistët, që zgjedhin Shqipërinë apo Vlorën për të kaluar ditë pushimi.
Thanas Gega, etnolog dhe muzikolog i pasionuar pas kostumeve popullore, shprehet se, “stimulimi i prodhimit të këtyre veshjeve do të mundësonte funksionimin e një tregu me mjaft vlera ekonomike dhe promovuese”.
Veshjet e traditës kanë elementët dallues që lidhen veç të tjerash me karakteristikat e terrenit, trevave, klimën etj. “Në vendet malore me klimë të ftohtë dhe me blegtori të zhvilluar, veshjet popullore në pjesën më të madhe prej tyre, bëheshin prej leshi. Në ndonjë zonë të veçantë të Lumit të Vlorës, përdoreshin edhe liri, si dhe gjeshtra për veshje e shtroje”, ka thënë Feti Brahimi, rapsod i njohur dhe drejtues i grupit folklorik të Lapardhasë.
Veshja më e vjetër e gruas labe është ajo me fustan. Sipas studiuesit Sejmen Gjokoli, një veshje e mëvonshme kanë qenë edhe çitjanet, gjë që përbën një element krejtësisht të ndryshëm nga veshja e vjetër tradicionale e lidhur kjo me ndikimet në momente të ndryshme historike.
Veshja e burrave ka më tepër elementë të origjinalitetit, ku më e vjetra është ajo me këmishë të gjatë, me fustanellë e tirqe kofshore, me poture e tirqe gjunjare, veshje me qillota. Pjesë e kostumeve dhe veshjeve popullore janë edhe opinga e lopës, këpucët me profka, opinga me shollë të rregjur, opinga me xhufka, si edhe qylafi i bardhë me thumb në majë.
Po ashtu, në këtë drejtim spikat tradita e fshatit Nartë, ku kostumet janë tërësisht të veçanta dhe nuk ngjasojnë me asnjë tjetër në trevat e Vlorës dhe madje edhe të vendit. Veshjet në këtë zonë janë të punuara kryesisht me satin, që përbën një element unikal në materialet, që përdoren për veshjet popullore, si edhe me lir.