Loading...

E gjithë Shkodra është nën pushtetin e ujit.Përmbyten shkollat, bien shtyllat e energjisë, banorët pa ujë të pijshëm

E gjithë Shkodra është nën pushtetin e ujit. Sipas të dhënave të shtabit të emergjencave sipërfaqja totale e përmbytur është rritur ndjeshëm, duke shkuar në 4958 hektarë.

Banorët janë pa ujë të pijshëm, ndërsa mbi 300 shtëpia janë të rrethuara nga uji. Një problem tjetër është edhe mungesa energjisë.

Shtyllat e energjisë elektrike janë dëmtuar dhe kërkohet ndërhyrja e OSHEE-së. Uji nuk ka kursyer as shkollat, disa prej të cilave kanë prezencë uji.

NJOFTIMI I PLOTË
Situata në territorin e Bashkisë së Shkodrës deri në orën 09:00 të datës 22 mars 2018, paraqitet si më poshtë:
Pas inspektimeve në terren të bëra nga Bashkia Shkodër, në Njësitë Administrative të përmbytura situata e përmbytjeve vazhdon të përkeqësohet dhe sipërfaqja totale ka arritur mbi 4958 Ha. Në detaje paraqitet si më poshtë:
Njësia Administrative Dajç: 1750 ha
Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit. Rruga Shirq-Darragjat, rruga, Belaj- Pentar, Rruga Bishti i Qarrit dhe Urrela janë të bllokuara.
Në disa shkolla në ambientet e brendshme të shkollës ka prezencë uji. Kanë rënë disa shtylla të energjisë elektrike në rrugën e Dajçit. Kërkojmë nga OSHEE ndërhyrje emergjente duke marrë masat përkatëse.

Paraqitet shume e nevojshme vendosja e shenjave orientuese në rruge për të bërë të mundur kalimin. Janë mbi 300 shtëpi të rrethuara nga uji. Kërkohet furnizim me ujë të pijshëm për banorët.
Njësia Administrative Ana e Malit: 1300 ha
Ujësjellësi Oblika 1 dhe Oblika 2 janë jashtë funksionit. Kërkohet furnizimi me ujë të pijshëm për banorët dhe nevojiten çizme të gjata për banorët. Lagjja Goricë është totalisht e izoluar. Janë 177 shtëpi të rrethuara nga uji, 150 në Obot dhe 27 në Goricë.

Njësia Administrative Bërdicë:
Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 1280 ha tokë e përmbytur .
Stacioni i pompave të Ujësjellësit në Trush si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Janë 100 shtëpi të rrethuara nga uji.
Njësia Administrative Velipojë:
Në njësinë administrative Velipojë, janë të përmbytura mbi 410 Ha tokë:
Në fshatin Luarz del uji nën argjinaturë. Ndërsa në atë të Çasit paraqiten shumë probleme. Kërkohet ndërhyrje emergjente. Rruga nacionale është e pakalueshme.

Fshati Luarz është pa energji elektrike.
Paraqitet shumë e nevojshme vendosja e shenjave orientuese në rrugë për të bërë të mundur kalimin.
Njësia Administrative Rrethina:
Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë Në zonën e Livadheve (Nj.ad.Rrethina) janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji. Në 3 shtëpi ka hyrë uji brenda.

Njësia Administrative Guri i Zi:
Në njësinë administrative Gur i Zi vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Paraqitet shume problematike kjo dukuri pasi mund te rrezikohet argjinatura.
Qyteti Shkodër:
Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 135 ha. Në këtë rrugë ndodhen mbi 70 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre. Me shumë vështirësi kalohet me makinë ushtrie, ndërsa në disa zona kalimi bëhet i mundur vetëm me varkë.

Në lagjen Ajasëm janë rreth 3ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji. Bashkia Shkodër ka bërë evakuime të banorëve dhe gjësë së gjallë kur janë paraqitur nevoja. Në këtë moment janë 69 persona të akomoduar në konvikt. Gjithashtu Bashkia Shkodër ka bërë të mundur edhe lëvizjen e banorëve dhe akomodimin e tyre tek të afërmit e tyre.

Specialistët tanë janë në terren, dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara.
Nevojat për bazë ushqimore afatgjatë, për blegtorinë, në zonat e përmbytura janë Imediate dhe paraqiten si më poshtë:
1. Koncentrat 110t
2. Bar i thatë 50 t
Baza ushqimore e ardhur nuk është e duhura (ka ardhur elb).
Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dezinfektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.

Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.
Edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë, akoma Bashkia Shkodër nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet përgjegjëse.

Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.
Bashkia Shkodër është e angazhuar në monitorimin dhe përgjigjen në çdo kohë të nevojave emergjente të banorëve.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com