Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar në Sarteano (komunë në Siena, Itali), i akuzuar për tentativë vrasje të ish-bashkëshortes së tij 27 vjeçe.
Siç raportojnë mediat lokale, rreth orës 21 të së martës, gruaja shkoi në banesën e 36-vjeçarit për të marrë djaloshin 4 vjeç, të cilin gjykata ja kishte besuar pas ndarjes së çiftit.
36-vjeçari e ka sulmuar madje e ka ndjekur edhe në rrugë jashtë banesës. Gruaja ka marrë dy goditje, një në krah dhe një në gjoks.
Për të shuar sherrin, kanë ndërhyrë disa banorë, ndërsa më pas në vendngjarje mbërritën karabinierët, që vunë në pranga 36-vjeçarin për tentativë vrasje.
Gruaja është transportuar në spital me urgjencë. Fillimisht, gjendja e saj shëndetësore u vlerësua e rëndë nga mjekët, por sipas raportimeve të fundit të medieve italiane, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.