Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot vendimin për grupin e zjarrit të Lazaratit ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, qershorin e 2015-ës, një vit pasi policia kishte hyrë në fshatin e famshëm të kanabisit dhe kishte spastruar territorin nga lëndë narkotike.
Krimet e Rënda kanë dhënë dy burgime për jetë për dy prej kokave të grupit të zjarrit Albion Aliko dhe Bajram Boçi dhe 150 vite burg për 7 anëtarët e tjerë të grupit. 35 vite burg janë dhënë për Elvis Boçin, ndërsa për 7 anëtarët e tjerë të grupit, përfshirë edhe vëllain e Albion Alikos, Alban Aliko, janë dhënë dënime nga 9 deri në 20 vite burg. Në total janë dhënë 150 vite burg dhe dy dënime përjetë për 11 të akuzuarit e procesit “Lazarati 2”.
Vendimi u prit mes tensionit dhe debatit mes oganit të akuzës dhe familjarëve, ku këta të fundit u nxorrën jashtë sallës së gjyqit nga forcat e sigurisë. Prokuroria kërkoi katër dënime përjetë për dy vëllezërit Alban dhe Arbjon Aliko si dhe Barjam Boçia e Elvis Boçia, por gjykata zbuti dënimet.
Përkatësisht Gjykata vendosi
Albion Aliko – Burgim i përjetshëm
Bajram Boçi – Burgim i përjetshëm
Elvis Boçi – 35 vite burg
Alban Aliko – 20 vite burg
Elson Kasma – 18 vite burg
Xhulio Malo – 10 vjet
Klodian Selimi – 13 vjet
Oltion Proko – 9 vite burg
Dervish Gaba – 15 vite
Ruhan Hija – 15 vite burg
Iljaz Xhaferri – 15 vite burg
“Grupi i zjarrit” të Lazaratit
Për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha u akuzuan 11 persona. Si autorë dhe organizatorë të grupit të zjarrit akuzohen dy vëllezërit, Alban dhe Arbjon Aliko. I pari u dënua me 20 vite burg, ndërsa i dyti ka marrë dënim me burgim të përjetshëm, duke u shpallur fajtor nga gjykata si autor i vrasjes së efektivit.
Gjithashtu, si bashkëpunëtorë u akuzuan edhe Barjam Boçia, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe Elvis Boçia i dënuar me 35 vite burg. Prokuruoria kërkoi 4 dënime me burgim të përjetshëm dhe 162 vite burg për 7 të arrestuarit e tjerë, Elson Kamza, Oltian Proko, Dervish Gaba, Ruhan Hirajn, Iljaz Xhaferraj, Klodian Selimin dhe Xhulio Malon.
Si u vra efektivi i FNSH mëngjesin e 24 qershorit 2015
Ibrahim Basha u qëllua me një plumb në kokë më 24 qershor 2015 në hyrje të fshatit të Lazaratit. RENEA ishte njoftuar për një situatë problematike në Gjirokastër, ku ishin raportuar të shtëna me armë zjarri, rreth orës 05:00 të mëngjesit dhe menjëherë është nisur një grup efektivësh të forcave speciale.
Pasi automjeti i RENEA ka hyrë për patrullim në fshat, i është bërë pritë dhe është ndeshur me breshëri armësh. Nga të shtënat efektivi i RENEA Ibrahim Basha mori një plumb në kokë dhe humbi jetën në vend, ndërsa u plagosën edhe dy kolegë të tij, Jetmir Isaj dhe Perlat Shpati. Ngjarja tronditi mbarë opinionin publik pasi ndodhte në një kohë kur në Lazarat ishin shkatërruar grupet kriminale të drogës dhe ishte vendosur qetësia.