Loading...

Shkodra bërtet: Po mbytemi në ujë!

Ministri-deputet i Shkodrës Ditmir Bushati në fakt me ujin po merret, por jo më atë të Shkodrës. Po “qetëson” detin në Jug të vendit. Kështu deklarojnë me mllef në Bashkinë e Shkodrës.

-Drama e banorëve që jetojnë nën ujë prej 20 ditësh. Krybashkiakja Voltana Ademi: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në zonat e dëmtuara. Banorët rrezikohen nga epidemite.

Në Shkodër prej më shumë se 20 ditësh fshatra dhe zona të tëra janë në luftë me ujin. Reshjet shpeshta të shiut dhe hapja e portave të hidrocentraleve kanë krijuar një situatë dramatike dhe me rrezik për jetën e banorëve. Deri në mbrëmje llogaritin 4215 hektarë sipërfaqe e përmbytur, mes të cilave banesa, ferma bujqësore, sera, tokë dhe rrugë.

Uji ka hyrë kudo. Situatë alarmante. Kryetarja e Bashkisë Shkodër thërret se gjendja po përkeqsohet dhe ka jetë njërëzish në rrezik.

Në Dajç janë 10 fshatra të përmbytur dhe 149 familje të bllokuara. 26 shtëpi rrezikohen të shemben, pasi kjo duhet të jetë përmbytja e 6 ose e 7-të në këto vitet e fundit. Në ish-komunën Ana e Malit 4 fshatra janë të izoluara, ku më serioze dhe me rrezik për banorët paraqitet gjendja në fshatin Obot. Në këtë fshat nga momenti në moment kërcënohen 150 shtëpi, 12 prej tyre janë aktualisht të pabanueshme. Dëmet në kafshë, ferma dhe produktet bujqësore janë të pallogaritshme. Në njësinë Bërdicë uji ka dëmtuar gjithë prodhimet e fermerëve duke përmbytur më shumë se 1200 hektarë tokë. 10 familje kanë 20 ditë që jetojnë me ujin në banesat e tyre. Në Velipojë dhe Rrethina janë 30 banesa të përmbytura, ndërsa situata në dëmet materiale është e pallogaritshme. Pas disa ditësh beteje me ujin,  përmbytja po turret drejt qytetit të Shkodrës. Në lagjet periferike të qytetit llogariten 110 hektarë tokë të përmbytura me dëme të pallogaritshme në prodhimet bujqësore. Rreth 40 banesa në këto lagje janë përmbytur.

Kjo është panorama e situatës më të fundit në Qarkun Shkodër. Prej 20 ditësh gjendja nuk ka njohur asnjë përmirësim, përkundrazi vetëm sa përkeqësohet. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi gjatë këtyre javëve ka bërë thirrje çdo ditë për ndihma dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e goditura nga përmbytjet. Në vend të reagimeve institucionale ka marrë refuzim ose heshtje. Madje, në vend që ti jepte ndihmën si deputet i zonës, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati bëri ironi me kryebashkiaken duke i kërkuar të punonte më shumë për përballimin e situatës. Ministri Bushati në fakt me ujin po merret, por jo më atë të Shkodrës. Po merret me detin në Jug për t’ia dhënë Greqisë. Kështu deklarojnë me mllef në Bashkinë e Shkodrës.

Ministria e Mbrojtjes thekson se nuk jemi në situatën e fatkeqësisë natyrore dhe nuk duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Kryeministri Edi Rama dhe deputetët e PS që e kanë detyrim njohjen me situatën dhe marrjen e masave, nuk e kanë parë të arsyeshme të vizitojnë Shkodrën. Kanë frikë përballjen me qytetarët. I vetmi institucion që e ka vlerësuar seriozisht situatën është Presidenca. Dje kreu i shtetit, Ilir Meta u informua personalisht për situatën në Shkodër nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi, si dhe dërgoi dy këshilltarët të tij për të parë nga afër gjendjen. Kreu i shtetit kërkoi nga institucionet që të marrin masa për shpëtimin e jetës së njerëzve, si dhe ruajtjen e pronës së qytetarëve.

Në fakt edhe deputeti i PS-së Paulin Stërkaj ndodhet ditë-natë në terren, por është vetëm një. Duhet qeveria të shpërngulet në Shkodër. Prej gati një muaj qytetarët e disa fshatrave në Shkodër po lihen në mëshirë të fatit, përballë një fatkeqësie natyrore qe ende nuk ka marrë fund. Parashikimet e motit flasin për sasi të mëdha reshjesh në ditët në vijim, ndërkohë gjendja në Shkodër është alarmante edhe me kaq sa ka ndodhur. Pritet shtim të nivelit të ujit duke hyrë edhe në qytetin e Shkodrës.

Indiferenca e institucioneve shtetrore në Shkodër është e pashpjegueshme dhe dëshpëruese. Këshilli Bashkiak dhe kryetarja e Bashkisë çdo ditë numëron dëmet dhe kërkon ndihmë nga qeveria në Tiranë. Kjo neglizhencë e qeverisë, nuk mund të shpjegohet ndryshe vetëm me faktin se qeveria e PS nuk ka vota në Shkodër dhe pushteti vendor është i PD. Është gati kriminale të shohësh se përmbytjet në Fier dhe Lushnje (zona me kryebashkiak të PS) ngrenë në këmbë gjithë shtetin për pak orë, ndërsa në Shkodër ka një muaj që qeveria nuk pranon as të hedh sytë.

Veç pronave të humbura, banesave dhe bagëtisë këto ditë po shfaqet edhe një rrezik i ri. Përmbytjet në pranverë janë më të rrezikshme se në dimër, me të cilat jemi mësuar. Për shkak të temperaturave të larta, përmbytjet në zonat e banuara shumë shpejt mund të sjellin infeksione dhe epidemi për shkak të kafshëve të ngordhura.

Në Shkodër dje të frikësuar nga rritja e valës së ujërave thërrisnin: Ditmir, ktheu në Shkodër dhe lërja kryeministrit, Brukselin!

Hajde Ditmir e merru me ujin e Shkodrës, pasi uji i grekut pret për më vonë!

Dit Bushatlliu

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com