Pasi ka dhënë një ditë më parë plotfuqinë për negociatat me Greqinë, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta sot është shprehur se ka pasur një bashkëpunim mjaft konstruktiv.
“Besoj se tashmë kemi realizuar një bashkëpunim mjaft konstruktiv dhe të dobishëm, për të pasur një proces solid e kushtetues, por edhe tekniko ligjore për negociatat sa më të suksesshëm”, u shpreh Presidenti Meta.
“Unë besoj se është bërë një punë mjaft e konsiderueshme dhe jemi në një proces solid nga pikëpamja kushtetuese”, theksoi për gazetarët Meta.
Duke komentuar shtimin e një anëtari në ekipin e negociatave, presidenti Ilir Meta i shpreh se Ksenofon Kristafi është një personalitet në fushën e të drejtës ndërkombëtare.
“Ka qenë një propozim shumë pozitiv dhe mjaft i mirëpritur nga ana ime, pasi është një personalitet me mjaft eksperiencë në drejtësinë ndërkombëtare”, përfundoi presidenti Ilir Meta deklaratën e tij para gazetarëve.