Loading...

‘Rana e hedhur’ perla e Adriatikut ku takohet rera gri me detin e kalter

8 kilometra nga qyteti i Lezhës, dhe mbërrijmë në qytetin e vogël e të ngrohtë buzë detit. Dhe ja dalëngadalë shfaqet në sfondin mëngjesor qyteti i vogël i buzëdetit, Shëngjini. Ai duket pak e nga pak, i ndrojtur, i thjeshtë dhe i bukur. Dikur, San Giovanni di Medua, sot Shëngjin, një emër prej Shenjti… Se kisha menduar kurrë më parë domethënien që paskësh mbajtur prej shekujsh në supet e tij të forta prej detari qyteti, Shën Gjini e kisha fjalën… Duket se merr ende fryme lirisht ky qytet. Jo se ndërtimet e reja mungojnë, por  të paktën nuk janë bërë me tepri . Moli i vogël i dikurshëm, fatkeqësisht i pashfrytëzueshëm, sot i ka të gjitha mundësitë, e është në pritje që turistët ta zbulojnë e ta admirojnë pak e nga pak këtë destinacion verior të Shqipërisë tonë të vogël.

Rana e hedhur, perla e Adriatikut.
Po të vazhdosh rrugën… pak më tej në anën veriore të qytetit, rrëzë kodrinave dhe malit të Rrencit shkon në zonën e “Ranës së hedhun”. Aty takohet edhe rëra gri me detin e kaltër. Është një pamje që nuk mund ta gjesh askund tjetër. Një grumbull i stërmadh rëre që zbret nga maja e malit e deri në det. A thua sikur është hedhur nga kamionë gjigantë… ndaj quhet E HEDHUR. Të shkosh atje ja vlen edhe pse rruga është e keqe… Ama, për fat të mirë nuk zgjat shumë, vetëm 1 kilometër larg nga ish “Reparti ushtarak”. Dhe pak tronditje rruge nuk është asgjë në krahasim me atë që të pret. Dhe deti fillon të dallohet qartë, akoma i pazgjuar mirë, janë orët e para të ditës.  Jodi dhe era e lehtë e pishave përzihen së bashku, duke të bërë ta duash edhe më shumë këtë vend të bukur e të qetë. Rruga do t’ju çojë vetë në destinacionin, sepse është një dhe e vetme, pa kthesa a kryqëzime. Dhe para syve shfaqet plazhi i Rërës së hedhur. I pa cenuar, me një natyrë të virgjër. Krejt të virgjër. Asnjë ndërtim aty rrutoll, dora e njeriut ende nuk e ka shkatërruar, e pastaj një plazh pothuaj i papërdorur, i pakonsumuar… krejt ashtu siç duhet të jetë për të qenë i vlefshëm… deti, rëra, pylli i dendur i pishave të cilin mund ta shijosh ndërsa je duke u freskuar në ujin kristal të detit. Rëra e zezë e ashpër e dehur prej jodit gjatë baticave të shoqëron gjatë-gjithë bregut. Nuk mund të mos luash me dallgët dhe të gëzohesh si fëmijë. Plazhi i qetë pa shumë sy kureshtarësh ta krijon këtë komoditet. “Besoj e keni dëgjuar për vlerat e kësaj rëre”,- na flet Gëzimi një peshkatar, i zonës ndërsa bëjmë shëtitjen buzë detit. Vërtet, pohon si për t’i mëshuar mosbesimit të krijuar në fytyrat tona. Po aq sa mu duk se ky plak i vjetër deti, mund të lexonte pyetjen e mendjes. “Emri “Rana e hedhun” i ka mbetur nga legjenda, nga gojëdhënat se, pse pikërisht kjo rërë këtu ku fare afër fillon pylli. Ngjason me një rërë të hedhur nga lart, nga një dorë e padukshme” – na tregon Gëzim peshkatari. E ndërsa vazhdon rrugën përgjatë gjithë bregut, arrin te një kodrinë jo dhe aq vogël e gjitha prej rëre. Kështu që nga pamja të duket se e gjithë rëra ka dalë prej pyllit e është e zbrazur e gjitha në det. Në fakt nuk ka ndodhur kështu, por nganjëherë natyra është një arkitekte e paparashikueshme. Ky plazh që më shumë i ngjan një oazi të vogël ia vlen të mos e humbim.

Kompleksi Kristi
Për të shkuar te Rëra e hedhur do t’ju duhet të parkoni makinën aty pranë një pylli. Syri të zë disa çadra kampingu të vendosura në rregull mes një ajri që të deh sa nga era e drurëve aq edhe nga era e jodit. Jemi te kompleksi Kristi. Rreth 40 mijë metra gjelbërim me drurë gati shekullorë, një pyll prej vërteti . Një vend ku mund të shijoni një pije freskuese të ftohtë, kafen përpara se të nisni plazhin. E përse jo dhe një drekë të plot shije deti. Pasi në këtë vend kaq pranë detit nuk mund të mos kënaqesh me gatimin e për më tepër kur janë pata deti. Gjergj Prela administrator i këtij kompleksi na tregon se është përpjekur që të ruajë një standard disi të lartë për këtë vend. Një mënyrë kjo për ta seleksionuar paksa klientelën. Por kur është cilësia ia vlen të paguash paksa më tepër. Aq më tepër në këtë oaz kaq të bukur, ku gjendet ky kompleks. Nëse shkoni aty do të ndesheni me disa pushues të huaj të cilët janë dhe bujtësit kryesorë të çadrave të kampingut. Ata po që e duan aventurën. Për më shumë ju mbetet të zbuloni vetë…

Marrim sërish udhën e kthimit. Nga njëra anë deti, nga tjetra pylli me gjelbërim. A nuk mjafton kaq për t’u ndier mirë e për të shijuar një fundjavë? E këto peizazhe do t’ju shoqërojnë përgjatë një pjese jo dhe aq të shkurtër rruge. Ndërsa rrugës nëse keni një sy të kujdesshëm, do të shihni shumë vende me lule livande, nga e cila mund të këpusni edhe ndonjë degë, për pak aromë të mirë. E ndërsa jemi drejt rrugës tonë vëmendjen na e tërheq një tjetër “Resort, Ambasador”. Aty për aty na lindi ideja që të provojmë ndonjë pjatë të zonës çfarë shijojnë pushuesit, në këtë vend kaq të bukur mu në zemër të “Rërës së hedhur”. E në fakt nuk u zhgënjyem. Dy shefat e kuzhinës në këtë resort na servirën pjata që nuk i kishim provuar më parë. Them kështu pasi ato janë pjata të krijuara, receta e tyre nuk është marr askund, veçse është e krijuar nga fantazia. Shefi i kuzhinës Elvis Dallënga ende nuk e flet mirë shqipen. Ka jetuar për shumë vite jashtë vendit, edhe atje ka qenë shef kuzhine e ndërsa u rikthye në tokën e tij, solli me vete artin e kuzhinës. Në “Ambasador” do të keni rastin të provoni peshkun e mbushur me fruta deti e me salcë vere, të pjekur në furrë, apo një tjetër pjatë e resortit ku miksohet mishi me prodhimet e detit të gatuara me ca salca speciale, të cilat jo vetëm që nuk do t’ju zhgënjejnë por do t’ju mbeten gjatë në mendje.

Pak histori
Themeluar dikur në antikitet Shëngjini ka një histori të gjatë krijimi. Mendohet se gjithçka ka filluar nga një mol i vogël që në kohët antike, në vitin 48 para Krishtit. Gjatë mesjetës Shëngjini përmendej në kronikat e vendeve të Gadishullit Italik me emrin San Giovanni di Medua. Por, edhe atëherë, ky mol i vogël e kish një problem të madh dhe ai lidhej me kënetat që e rrethonin e që nuk e bënin dhe aq komod shfrytëzimin.

Rezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurRezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurRezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurRezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurRezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurRezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurRezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurRezultate imazhesh për foto nga rana e hedhurImazh i ngjashëm

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com