Kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, nëse do të ketë ndryshim nga ‘arresti me burg’ apo do të vijojë të qëndrojë në qeli gjatë gjykimit.
Por në vend se të mbrojë veten para gjyqtarëve mbi akuzën për shpërdorim detyre dhe tjetërsim pronash, Frrokaj ka kërkuar të merren masa për rrëshqitjet e dherave në rrugën e Kalasë në qytetin e Lezhës.
Frrokaj i ka kërkuar nënkryetares së Bashkisë Lezhë t’i shkruajë një shkresë komitetit të emergjencave që të ndërhyhet në këtë rrugë pasi ka rrëshqitje masive. Ndërkohë në gjykata ka masa të larta sigurie për shkak se jashtë dyerve të saj ndodhen një numër i madh mbështetësish dhe familjarësh të personave të akuzuar për tjetërsimin e pronave në Shëngjin.