Loading...

Shqipëria ju thërret, ja 10 arsye pse duhet ta zgjidhni për pushime!

[sgmb id=”1″]

Po të më kërkonin një këshillë për vendin që duhet vizituar këtë verë, nuk do të kisha dyshime: Shqipëria.

Ndonëse ka qenë një vend disi i keqtrajtuar, tani turizmi po e bën të njohur dhe është koha për ta vizituar, para se të bëhet një vend turizmi masiv, gjë për të cilën jam e sigurt.

Këtu janë 10 arsye që shpresoj të shërbejnë si frymëzim për ata që kanë ende dyshime dhe t’i bëjnë të ndryshojnë mendje.

1 – Deti i Shqipërisë dhe plazhet

Motivi i parë për të vizituar Shqipërinë këtë verë janë pa dyshim kilometrat e plazheve ende për t’u zbuluar, me rërë dhe det kristal, sidomos ato pranë Greqisë, Saranda dhe Ksamili.

Askush nuk mund t’i rezistojë dëshirës për t’u zhytur në ujërat blu kristal të këtyre plazheve thjesht të jashtëzakonshëm.

2 – Malet

A ka vend më tërheqës në botë se ata që kanë plazhe ëndrrash vetëm pak kilometra larg maleve të lartë? Jo, dhe në Shqipëri do të gjeni me shumicë nga të dyja. Kërkoni në internet për liqenin e Komanit apo për lokalitetin e pabesueshëm të Thethit në veri të vendit.

Alpet Dinarike ngrihen në veri dhe arrijnë lartësi mbi 2000 metra, duke krijuar lugina alpine të pabesueshme, liqene të kaltër dhe biodiversitet të shumtë.

Kush pëlqen ekskursionet dhe natyrën nuk do të zhgënjehet dhe nuk duhet ta humbasë në asnjë mënyrë “Peaks of the Balkans”, një nga ekskursionet më mahnitës që mund të imagjinohet.

3 – Vende arkeologjike dhe mrekulli të UNESCO-s

Nëse plazhet e ëndrrave dhe peizazhet idilike alpine nuk ju mjaftojnë, por doni edhe historinë dhe arkeologjinë, Shqipëria do t’ju befasojë vërtet. Nuk mungojnë kështjellat dhe vendet e mbrojtura nga UNESCO, nga kishat bizantine të Beratit në rrënojat greke e romake të Butrintit, kështjellat otomane e deri në qytetin korinthian të Apolonisë.

4 – Kuzhina e shijshme

Kuzhina në Shqipëria pasqyron varitetin e madh të territorit të saj. Pjata ofrojnë nga furtat e detit, te djathrat e freskët dhe mishi i pjekur. Për të mos folur për zgjedhjet e shumta për fruta dhe perime. Dhe ëmbëlsirat… ëmbëlsirat në Shqipëri meritojnë një artikull më vete.

Dhe ta dini që krijojnë varësi! Edhe nga kjo pikëpamje nuk mund të ngeleni të zhgënjyer nga ky vend i vogël plot gjallëri.

5 – Ende e panjohur

Një nga gjërat që pëlqen më tepër në vendet që vizitoj është kur ende nuk kanë hyrë në cirkun e turizmit masiv dhe kanë ruajtur një origjinalitet të vetin. Shqipëria është një nga pak vendet që kanë mbetur të tillë.

Mjafton të largohesh pak nga qytetet për të gjetur fshatra të izoluar ku traditat mbeten të paprekura, ku gratë veshin ende rrobat tradicionale dhe prej shekujsh ruhen të njëjtat zakone.

6 – Përzemërsia e njerëzve

Çfarë mund të thuash për njërin nga popujt më mikpritës që kam parë ndonjëherë? Shqiptarët janë të lumtur tek shohin që vendi i tyre po shndërrohet e po bëhet në një nga destinacionet kryesore të Mesdheut.

Kur nisa udhëtimin tim për në Shqipëri e vetme, shumë miq më pyetën nëse kisha frikë. Nuk e di se si mund të kem pasur kaq shumë paragjykime në të shkuarën.

E pranoj që surpriza (dhe dhurata) më e madhe që më bëri ky vend i vogël madhështor ishin njerëzit. Më ndihmuan për gjithçka, të hipja në autobus, më tregonin rrugën, disa madje edhe ndryshonin itinerar për të më shoqëruar atje ku kisha nevojë dhe gjiçka e bënin përherë me një buzëqeshje të madhe.

7 – Shumë gjëra në pak hapësirë

Edhe nëse ke vetëm një javë apo pak më tepër kohë, Shqipëria është e përkryer për një udhëtim apo pushime. Sigurisht që do të meritonte më tepër kohë për ta vlerësuar deri në fund, por nëse nuk keni mundësi të largoheni nga shtëpia për më tepër se një javë nuk do të zhgënjeheni, përkundrazi, do të ktheheni me idenë që të shkoni përsëri atje.

Merrni një makinë me qira dhe shiheni të gjithën, duke kaluar nga malet te plazhet e fshatrat dhe do ta shijoni plotësisht.

8 – Është ekonomike

Një det i mrekullueshëm si ai i Sarandës në vende të tjera do të kërkonte një sforco të madhe ekonomike. Në Shqipëri udhëtohet fare mirë me pak, hotelet dhe shtëpitë me qira kanë ende çmime të pranueshëm për të gjithë xhepat.

Në restorante hahet shumë mirë me 10 euro dhe si mund të mos jesh i lumtur kur birrën e gjen për më pak se 3 euro?

9 – Është afër

Pse të bësh 12 orë me avion për të shkuar kushedi ku, kur mund të bësh vetëm një orë dhe të kesh gjithçka përshkruar më sipër?

Shqipëria është shumë afër dhe nga Italia arrihet shumë shpejtë me avion apo traget, ndaj është ideale për një arratisje të vogël verore!

10 – Shqiptarët flasin italisht

Pjesa më e madhe e njerëzve flasin italisht, kështu që barrierat gjuhësore që mund të vështirësojnë udhëtimin nuk ekzistojnë. Sikur të më kërkoni një arsye për të mos shkuar në Shqipëri, ju betohem që nuk më vjen asnjë në mendje.

Përkundrazi, janë shumë gjëra që nuk i kam përmendur dhe që ia vlejnë, si për shembull toleranca midis feve: katolikë, ortodoksë, muslimanë jetojnë bashkë dhe dialogojnë për paqe. Në këtë aspekt Shqipëria duhet të jetë një shembull për të gjithë.

Akoma po mendoheni? Shpejt, Shqipëria ju thërret!

/Nga Martina Santamaria, autore e shkrimeve për udhëtimet në pimpmytrip.it/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com