Pas dërgimit të letërporosisë në Itali nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për marrjen në pyetje të Nezar Seitit, Prokuroria e Katanias e ka ekzekutuar atë.
Burime të Panoramës brenda organit shqiptar të Akuzës, thonë se Nezar Seiti, i konsideruar si “financieri” i Habilajve, ka dëshmuar para prokurorëve italianë për përfshirjen e tij në organizatën kriminale të Moisi Habilajt. Me interes për hetimet në Shqipëri mbetet emri që Nezar Seiti ka përmendur, për një zyrtar të drejtësisë shqiptare, i cili ndihmonte grupin kriminal. Emri i zyrtarit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, por burimet thonë se ai vijon të jetë në detyrë. Gjithashtu, Seiti është pyetur edhe për Saimir Tahirin, ish-ministrin e Brendshëm që është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Pritet që këto ditë të vijë procesverbali i dëshmisë së Nezar Seitit në Shqipëri, i cili do t’i bashkëngjitet dosjes “Tahiri-Habilaj-Sota”. Seiti u ekstradua në Itali me kërkesë të tijën, por në kushtet kur ai po procedohej edhe në Shqipëri krijoi një skandal, pasi ligjet thonë se ai s’mund të ekstradohej. Për këtë, një gjyqtar dhe tre prokurorë janë nën hetim disiplinor.
HETIMET E TAHIRIT
Ekstradimi i Nezar Seitit, i konsideruar si financieri i grupit të Moisi Habilajt ka vënë në vështirësi hetimet për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit është nën hetim nga Krimet e Rënda për “trafik droge” dhe “korrupsion”, i dyshuar për lidhje me grupin famëkeq të Moisi Habilajt. Në një kohë që vendimet e fundit gjyqësore për çështjen “Tahiri” kanë qenë disi në favor për ish-ministrin, ekstradimi i Nezar Seitit duket se e vë në një pozicion mjaft të vështirë organin e Akuzës.
Dy muaj më parë, Krimet e Rënda zgjatën edhe me tre muaj afatet e hetimeve për çështjen “Tahiri” dhe për Nezar Seitin, me shpresën se do të gjenin të dhë- na të reja për lidhjet e mundshme të ish-ministrit me trafikun e drogës. Nga ana tjetër, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës i dha “ok” ekstradimit të Nezar Seitit, i cili edhe më parë kishte kërkuar, përmes avokatit të tij, që të procedohej për akuzat në shtetin italian.
ARRESTIMI
Nezar Seiti u arrestua në operacionin e famshëm të Babicës në Vlorë, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për të kishte një urdhërarrest ndërkombëtar si i përfshirë në grupin e Habilajve, që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë.
Në dosjen e Prokurorisë së Katanias, ku edhe përmendet ish-ministri Tahiri, Seiti përshkruhet si krahu i djathtë i Moisi Habilajt dhe që merrej kryesisht me financat e grupit dhe transportin e drogës. Pas arrestimit të tij në Babicë të Vlorës, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi procedim penal ndaj tij për llogari të drejtësisë shqiptare, duke e lidhur çështjen me atë të ishministrit Tahiri