Kreu i PD-së Lulzim Basha ka kërkuar të marrë sot në foltore edhe kohën e deputetëve të tjerë të PD-së të paracaktuar për të marrë fjalën në mocionin me debat por nuk është lejuar nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Në përgjigje të kryeministrit Edi Rama, i cili përmendi emrat e të gjithë atyre njerëzve të vizituar nga Basha si të përjashtuar nga ndihma ekonomike por tashmë disa të punësuar, kreu i PD-së nxori me foto qytetarët. Ndërsa tregoi foton e një vajze të varfër duke qarë, kreu i Kuvendit i ndërpreu fjalën për shkak të mbarimit të kohës.
Por Basha tha se do të flasë ne emër të gjithë grupit. Nga ana tjetër Ruçi tha se pasi fiksohet minutazhi nuk lejohet që kohën e një deputeti ta marrë një tjetër. Por pas këtyre debateve, deputeti i PD Flamur Noka është ngritur më këmbë, gati për t’u afruar tek foltorja, ndërsa Ruçi e ka ndalur.
REPLIKAT
Basha: Flas në emër të opozitës, gjithë grupit.
Ruçi: Nuk e përcaktoni ju kohën.
(Noka çohet nga vendi)
Ruçi: Mos fol ti. Sot do të flasë aq kohë sa i ka dhënë grupi i tij parlamentar sipas rregullores së parlamentit. Ju mund të merrnit 40 minuta nga grupi parlamentar sipas rregullores. Ju lutem mësojeni këtë. Unë e kam mësuar dhe koha mbaroi.
(Basha flet pa mikrofon)
Ruçi: Pasi fiksohet minutazhi nuk lejohet që kohën e një deputeti ta marrë një deputet tjetër. Ka një nen të posaçëm të rregullores. 3 minuta për procedurë.
Basha: 30 mijë familje janë hequr pa e ditur përse. Midis tyre Rama ka qëmtuar disa që qenkëshin me vila e makina. Nëse ata janë në skemë ata duhet të ishin larguar nga skema 5 vite më parë se ka 5 vite që qeveris. Është përgjegjësia e tij nëse ishin në skemë. Por Rama nuk ka përgjigje. Këta njerëz që janë hequr iu është hequr buka e fëmijëve, për këta mban përgjegjësi Edi Rama, i cili ka bërë një akt kriminal.