Loading...

Birçe Hasko Artisti i Merituar nga Dukati: ‘Jam i lumtur që do vdes në një… !’

[sgmb id=”1″]

Birçe Hasko, i lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942, është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës “Jani Minga” të Vlorës punoi si mësues në Memaliaj, ku angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit Birçe Hasko mbahet pedagog pranë këtij Instituti, ku për disa dekada ka dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh”, shkruar nga Teodor Laço. Një kontribut të çmuar ka dhënë në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971, ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Aliut tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43”, në vitin 1980, roli i mësuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë provinciale”. Në vitin 1995 mori titullin Profesor. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë. Në vitin 1988 Birçe Haskos iu dha titulli “Artist i Merituar”. Bashkia e Orikumit e ka shpallur “Qytetar Nderi”. Ai gëzon edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

-Një pyetje disi “patriakale”, Birçe. Familja juaj, Haskot, jeni të gjithë të kënduar, të arsimuar. Trashëgimi, genet, apo…?

-Jo, jo. Janë ca nga të gjitha. Ne kemi qenë 8 fëmijë, 6 vëllezër e dy motra. Shtatë nga këta morën arsim të lartë. Vetëm një motër mbeti me arsim të mesëm. Të tërë kemi qenë me nivel të lartë në mësime. E di pse? Sepse babai ynë, ndjesë pastë, ishte shumë arsimdashës. Ishim të varfër, nga më të pikurit në Dukat. I thoshte fshati babait: dërgoji djemtë tek filani për të ruajtur bagëtitë. Ishte fjala për të nxjerrë bukën e gojës. Ai kurrë nuk e bëri këtë. Mesa duket kishte vendosur të zhdukte injorancën në familje.

Është disi e pabesueshme, por unë do ta tregoj. Kishim disa prona në Llogora, pyje e kryesisht kullota. Atje në stan, ku edhe flinte, babait i kish dalë Fan Noli në ëndërr. I paskësh thënë: Ju Haskot do të përparoni, do të bëheni njerëz të kënduar, do shkolloheni.

-E vërtetë?

-Po, po, kjo është shumë e vërtetë. Babai ishte arsimdashës i thekur, por ajo ëndrra me Fan Nolin ia përforcoi dëshirën që të na dërgonte nëpër shkolla. Ai nuk të falte, ishte nopran i madh. Edhe 50 vjeç apo më shumë, njeriu duhet të mësojë, mbaj mend të na thoshte. Ka qenë vetëm ai që na nxiti për të vazhduar shkollat. Nuk të falte për këtë. Kunatën, Shanen, edhe pse ishte me fëmijë, e detyroi të mbaronte Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ajo në fillim nguroi, nxori njëmijë e një yçkla, por ai një ditë iu hakërrye e i tha: Mos të të dëgjoj më nga këto që më thua, do të vesh në institut që ç’ke me të! Ka qenë i çuditshëm babai ynë.

-E veçanta tek ju Haskot është se, që të gjithë, kini mbaruar arsimin e lartë…

-Është e vërtetë. Për mësimet të gjithë jemi përgjigjur vetë. Që të gjithë, pa përjashtim. Vëllai i madh, Bilbili, mbaroi për inxhinier elektromekanik në Çekosllovaki. E mbaroi shkëlqyeshëm, mori medalje të artë. Skënderi, vëllai tjetër, mbaroi për gazetari. Edhe ai shkëlqeu në mësime e në punë. Edhe ju e dini që mbeti një ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë. Jo se e kam vëlla, por Skënderi ka lënë një emër të mirë si krijues, si shkrimtar dhe publicist. Edhe vëllai i tretë, Halili, mbaroi për inxhinier mekanik. Ishte i talentuar si inxhinier, por ai u mor më shumë me politikë. Ka punuar në Berat, Fier, Vlorë etj. Ka qenë edhe deputet në Kuvendin Popullor. Nga ne vëllezërit Halili mbetet si më i drejti, njeri që luftoi e lufton për ideale të pastra.

-Na thuaj diçka nga vetja, nga vështirësitë për shkollimin tënd…

-Dy vjet të shkollës fillore i kreva në Dukat. Mbaj mend edhe shokët e klasës. Kam patur Hasan Halilin, Ago Nezhën, Siri Allushin dhe Vexhi Nelon. Vexhinë e lash të fundit, por ai ishte i pari në mësime. Ishim në një bankë. Ai pati fatin e keq sepse nuk mundi të vazhdonte shkollën e lartë për arsye të biografisë.

Në shkurt të vitit 1951 u shpërngulëm përfundimisht në Radhimë. Nuk mund ta linim babanë vetëm. Aty rrinim në shtëpi me qira. Kemi bredhur të gjithë fshatin. Aty mbarova shkollën fillore.

Shtatëvjeçare nuk kishte Radhima, ishte në Tragjas. Të gjithë ne fëmijët, të tetë, shtatëvjeçaren e kemi kryer në Tragjas. Shkolla ishte larg, shumë larg, 12 kilometra vajtje-ardhje. Na duhej të bënim më shumë se tre orë udhëtim në ditë. Ngriheshim çdo mëngjes në orën 5 në mënyrë që në orën 6 të merrnim rrugën për në shkollë. Mbaj mend që ne nxënësit e Radhimës vinim 5-10 minuta më përpara se të tjerët, madje edhe ata që i kishin shtëpitë aty tek dera e shkollës. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa.

Pastaj më doli e drejta e studimit për mësues, në shkollën “Jani Minga” të Vlorës. Sigurisht me bursë nga shteti sepse ne ishim familje e varfër, nuk mund ta përballonim dot pagesën. E kam mbaruar pedagogjiken me nota të larta, shumë të mira në të gjitha lëndët.

-Mban mend ndonjë detaj nga shkolla e mesme?

-Mbaj, si jo. Po tregoj diçka që nuk më ikën nga mendja edhe tani. Në klasë ishim 52 nxënës. Unë përgatitesha përditë, por për më shumë se një muaj nuk po më vinte radha që të ngrihesha në mësim. Mua më kish qëlluar që banka të ish afër dritares, e cila e kishte shikimin nga godina e Teatrit. Një ditë fillova të qaja. Isha i vogël, vetëm 14 vjeç dhe nuk kisha ikur ndonjëherë nga shtëpia. Më kishte marrë malli sidomos për nënën. Më pa mësuesja e matematikës, Bubulina Arapi, e motra e Fatos Arapit. Pa ngriu ti atje, tha, dhe drejtoi gishtin nga unë. Me sy të përlotur vajta tek dërrasa e zezë. Shkruaj, më tha, dhe po më jepte ca ushtrime për t’i zgjidhur. Nuk ka nevojë, ia ktheva, i them pa shkruar, i them me gojë. Uaaa, ia bëri e habitur mësuese Bubulina! Nga vjen ti?, më pyeti. Nga Tragjasi, mësuese. Cilin mësues ta ka dhënë matematikën? Shezai Radhima, iu përgjigja. Ajo e dinte, ia kish dëgjuar namin mësues Shezaiut. Më dha dy problema dhe unë fap-fap i zgjidha. Që atë ditë mua më doli nami si nxënës i mirë. Mësuese Bubulina kishte folur për mua në katedër dhe nga ajo ditë mua më zhdëpën me nota shumë të mira, në të gjitha lëndët.

-E pastaj?

-Pastaj vajta në Tepelenë, ç’të bëja. Dyqind mësues kishte atëherë i gjithë rrethi i Tepelenës. Shef arsimi ishte një Nase Guga nga Gjirokastra. Ishte burrë shumë i mirë, i shkëlqyer. Na mblodhën për të na caktuar shkollën ku do të punonim si mësues. Në debat e sipër dëgjova që do të më caktonin në një fshat ku do jepja mësim në katër klasa kolektive. U çudita. Si ishte e mundur të punoja njëherësh me katër klasa? Mora guximin dhe iu drejtova atij që bëri komunikimin, sekretarit të Komitetit Ekzekutiv: Ne, i thashë, kemi bërë praktikë me dy klasa kolektive, me katër më duket e pamundur, sot po e dëgjoj për herë të parë. Ç’bëri ai? Për të më trembur dha urdhër: Këtij djalit, tha, do t’i shkoni çdo javë për kontroll! Po unë isha më kokë mushkë se ai. Për kontroll dua që të më vish ti, por kam frikë se, po erdhe, do të grisen opingat. Ai i ra tavolinës në atë mënyrë sa u prish edhe mbledhja. Kot që e bëra edhe unë kërkesën. E kush më pyeste mua.

27518277075_8c576d66f5_b-E zbatove urdhrin, vendimin e seksionit të arsimit?

-Me një këmbë. Shkova aty ku më caktuan. Ishte një fshat i thellë, shumë larg, në Amarikaj. Binte mbi Qesarat. Sapo vajta, e di si u thash disa fshatarëve që luanin domino aty afër shkollës? E dini ju ç’do të thotë Amarikaj? Jo, thanë ata, dhe ngritën supet. Ja u thotë mësuesi juve. Amarikaj do të thotë “aman se ika”. Qeshën ata, qesha edhe unë. Atje u ambientova, kalova shumë mirë. U jam mirënjohës edhe sot, që kanë kaluar më shumë se një gjysmë shekulli. Respektin e kishim reciprok, unë për ata dhe ata për mua.

-Po kontrolli, porosia që dha sekretari i Komitetit Ekzekutiv, u bë si tha ai?

-Jo, jo, asnjëherë. E kush mund të ngjitej deri në Amarikaj. Vetëm në fund të vitit më vijnë për inspektim nga seksioni i arsimit. Odise Zhupa e kish emrin inspektori, i ati i poetit Ilirian Zhupa. Ishte burrë shumë i mirë, por edhe metodist i shkëlqyer. Ishte mjeshtër, tepër korrekt. Këtu në karrigen tënde do të rri unë, më tha, pasi u përshëndet me nxënësit. Ti qëndro atje, në fund të klasës. Ashtu bëra. Ai i mori të gjithë nxënësit në provim, me shkrim e me gojë, nga klasa e parë deri tek e katërta. Qëndroi aty, me mua, plot një javë. Në fund më falënderoi. Ke bërë punë të shumë të mirë, më tha. I mori të gjitha fletët e provimit me vete. Kishin mbetur edhe tri ditë që të mbyllej viti shkollor. Më duhej të qëndroja aty por inspektori ato tri ditë mi dha pushim, si shpërblim për punën e mirë. Kështu m’u desh ta mbyllja shkollën dhe të shkoja bashkë me inspektorin në Tepelenë.

-Vitin tjetër, sigurisht, të duhej të vije përsëri në Amarikaj?

-Jo, nuk qe e thënë. Vitin tjetër më emëruan në Nivicë, mësues të shkollës 7-vjeçare. Aty jepja matematikë dhe rusisht. Drejtor kam patur Daut Gumenin. Mbaj mend që na erdhi për inspektim Xhevdet Pataj. Ka qëndruar aty të gjithë javën. I kontrolloi të gjithë me radhë. Diku, aty nga fundi inspektimit, përpara se të jepte konkluzionet, më ftoi për kafe Xhevdeti. Unë prisja të më thoshte ndonjë vërejtje rreth kontrollit, por ai më tha: “Ty Birçe do të transferojmë në Memaliaj”. Unë kujtova se po bënte shaka. Ai e kuptoi që unë e mora për të tillë, pra shaka, m’u drejtua prapë: E kam seriozisht Birçe, nuk është çështje shakaje kjo punë more djalë. Një gjë po të porosis, më tha në kofidencë Xhevdeti: mos u thuaj gjë shokëve!

-Të duhej të prisje vendimin zyrtar?

-Fiks pas një jave erdhi zarfi. Ishte vendimi për transferimin tim në shkollën e mesme të qytetit të Memaliajt. Në zarf ishin edhe tre mijë lekë. Tre mijë lekë ishin shumë, gati sa gjysma e rrogës së një muaji. Në Memaliaj e mbylla atë vit, por qëndrova edhe vitin tjetër si mësues gjimnazi. Aty kam kaluar mirë. Nga klasa e parë deri tek e fundit ishin një mijë e njëqind nxënës. Mos kujton se është ai qytet i Memaliaj që është sot? Jo or jo! Memaliaj ishte qytet minatorësh, qytet me shumë gjallëri. Mbaj mend që ne arsimtarët, që nuk ishim vendas, trajtoheshim njësoj si të ishim minatorë, me një kompensim prej 25 për qind për ushqimet që merrnin.

-Aty fillove të punoje edhe si “artist”, të merreshe me veprimtari kulturore?

-Unë, sapo vajta, angazhohesha me estradën amatore të qytetit. Kujtoj që sa dilja në skenë për të luajtur numrin e radhës, spektatorët më prisnin me duartrokitje. Bënim katër premiera në vit. Investimet i bënte shteti. Sigurisht, kjo bëhej për minatorët. Aty mori udhë jeta ime që më pas do të shkollohesha për aktor.

-E si ndodhi, ç’qe ky fat dhe nga të erdhi?

-Edhe tani kur e kujtoj ia bëj këtë pyetje vetes. Vjen një ditë zv/ministri i Energjetikës, Pupo Shyti e kish emrin. Ai nuk kishte ku ta kalonte pasditen dhe me disa drejtues të minierës vjen në shfaqjen tonë. Në fund të shfaqjes më thonë se më kërkonte i deleguari që kish ardhur nga Tirana, pra zv/ministri. Shkoj. Pash që mbante një komposto në dorë. Ishte komposto kumbulle. Merre, më tha, më ke kënaqur, qenke artist i vërtetë. E mora komposton. E di ç’ke ti, më tha, ti do të shkosh në shkollë për aktor. Unë nuk kisha haber fare nëse ekzistonte ndonjë shkollë për aktor. E dëgjoja për herë të parë. Aty mora vesh që kjo shkollë ishte hapur qysh në vitin 1959. Viti që e mora vesh unë, ishte 1962. Unë ngurova, por ai insistoi: Do të shkosh patjetër, dëgjomë mua. I thashë një “faleminderit” dhe ika, nuk ia vara fare kësaj pune. Do ti që ai erdhi prapë pas një muaji! Erdhi edhe në shfaqjen e radhës. Pas shfaqjes më thirri ta takoja. Vajta. Tani, më tha, dua prej teje një dopjo raki. Në vend, i thashë, dhe porosita të vinte gota e rakisë. Hë, vazhdoi zv/ministri, si vendose për atë që të kam thënë? Po lëre, i thashë, ta harrojmë këtë muhabet. O njeri, insistoi ai, pse nuk do, ç’do të humbasësh ti nga kjo punë? Unë jam artdashës, nuk kam lënë film apo teatër pa parë me tët vëlla në Çekosllovaki. Aty mora vesh që ai na ishte edhe shok i tim vëllai, Bilbilit. Mora pak siguri. Epo hajde, jepe llafin o Birçe, thashë me vete. Ashtu bëra. Vajta në Tiranë, konkurrova. Më thanë që kisha fituar. Nuk ma merrte mendja kurrë, nuk e mora për të vërtetë. U ktheva në Vlorë unë i ziu.

4cc8698b-4ff7-4ce9-a039-6eb76c2ad2f8-0-Fati të erdhi në dorë, të duhej që të shkoje në Institutin e Arteve në Tiranë apo jo?

-Jo. Konkurrimi që bëra unë nuk ishte i planifikuar nga rrethi. Kur erdha në shtëpi mora vesh që më kishin caktuar drejtor shkolle në Poro. Pra në Vlorë nuk e dinte kush që unë kisha konkurruar për aktor dhe që kisha fituar. Ua thashë këtë, por nuk më besonte njeri. Vajti puna deri tek sekretari i parë. Sekretar i parë për Vlorën ishte Mihallaq Gjinikasi, një burrë i shkëlqyer, shumë i drejtë. Më dha një kafe. Tani, më tha, u bëre i madh, të kemi bërë drejtor. Unë rezistova, por ai ma preu shkurt: O drejtor në Poro, o shko në shtëpi, në Radhimë. Zgjidh e merr. Nuk kisha nga t’ia mbaja. Dola tek Sheshi Flamurit për të gjetur ndonjë makinë për në Poro. Çudi! Përpara më doli një makinë “zis”, e cila na paskësh qenë makina e kooperativës së Poros.

-Më në fund u harrua pasioni për të vazhduar shkollën për aktor?

-Jo ore, ku më linte “miza” mua. Vajta përsëri për të konkurruar për aktor. Konkurrova dhe përsëri fitova. Më thonë ata të komisionit: ore përse konkurron ti Birçe, të lënë apo nuk të lënë të fillosh akademinë ata të Vlorës? Jo, jo, këtë vit do të më japin lejë se s’bën, nuk kanë ç’të bëjnë, ua ktheva përgjigjen. Për dreq shokët më propozuan për të vajtur tek stadiumi “Qemal Stafa”. Shkuam për t’u argëtuar pak, të kalonim disa orë duke luajtur futboll. Kur mbaruam lojën, thashë me vete: more, përse të mos shikoj, se ndoshta kanë dalë listat për të drejtat e studimit. Kur vajta tek Teatri, sepse aty afishoheshin listat, ç’të shihja? Birçe Haskos i kish dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve. Fluturova nga gëzimi. Kur vajta në shtëpi, në Radhimë, mora vesh se aty kishte mbërritur edhe telegrami që më njoftonte për tu paraqitur pranë shkollës së lartë “Aleksandër Moisiu” që të regjistrohesha për të filluar shkollën për aktor. Aty qëndrova vetëm një vit sepse në 1966 u krijua Instituti i Latë i Arteve ku u bashkuan Artet Figurative, Arti Skenik, Muzika dhe Kultura.

-Kur, në cilin vit u diplomua për aktor Birçe Hasko?

-U diplomova në vitin 1969. Diplomën ma ka dhënë ish-Ministri i Arsimit, Thoma Deljana. Atëherë kishte një vendim të posaçëm, i cili diktonte që 5 për qind e studentëve që kishin mbaruar shkëlqyeshëm, mbaheshin në Institut si pedagogë. Tek ky 5-përqindësh hyra edhe unë. Mirëpo Vlora insistoi të më merrte si regjisor të estradës, por ministri, Thoma Deljana, i vuri vulën kësaj pune. I jam mirënjohës!

-Sa është e rëndësishme shkolla për ju sepse kam dëgjuar të thuhet në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson?

-Shkolla, sipas meje, është e rëndësishme, por nuk është ajo që të mund të shkëlqesh në jetë. Shkolla të jep një çelës kopil, pastaj varet nga ty nëse je i zoti të hapësh derën e suksesit. Kërkesa që ka jeta me ato që bën në shkollë janë ku e ku larg. Ka njerëz që nuk shkëlqejnë në shkollë, por bëhen të tillë në jetë, bëhen të zotët e vetes për të ngjitur maja. Sepse ka nga ata që e përfundojnë shkëlqyeshëm shkollën, por kur dalin në jetë as dinë të marrin e as dinë të japin. Mbeten shkollareskë.

-Mund ta konkretizoni këtë, mbasi ju kini ushtruar detyrën e profesorit plot 43 vjet në Akademinë e Arteve?

-Unë, në radhë të parë, me studentët kam qenë edhe prind edhe pedagog. Punën e kam bërë me ndershmëri maksimale. Kur shkoj në ndonjë rreth vijnë e më takojnë, më përqafojnë, më janë mirënjohës. Unë si mësimdhënës kam qenë nopran, kam qenë shumë kërkues. Madje studentët dëgjoja që thoshin “ky të fik derën, ky të merr shpirtin”. Kur dilnin në jetë thoshin tjetër gjë: ke patur të drejtë profesor. Sepse jeta, profesioni që merr, nuk është e lehtë ta përballosh. Ajo të rrëzon, të jep grushte, të gjakos, të ngre përsëri, prapë të godet me grusht, e ti prapë ngrihesh. Ja, kështu është ndërtuar jeta.

Pastaj njeriu duhet të jetë modest. Anglezët kanë një thënie të shkëlqyer: njeriu shet mend aq sa i mungojnë. Mjerë ai njeri që stërmundohet për t’u treguar i madh, i ditur. Akademia e Arteve që nga viti 1963, kursi i parë, kur ka mbaruar Marjo Ashiku, Edi Lualasi, Bexhet Nelku etj.

-Ka ndonjë sekret këtu, profesor Hasko?

-Ka, si s’ka. Arti ka dy sekrete, shpjegimin dhe demonstrimin. Nëse studenti nuk të kupton kur ti shpjegon, vjen demonstrimi. Nëse nuk kupton edhe demonstrimin atëherë ai duhet të ikë, nuk është i aftë për këtë punë. Unë kam qenë i prerë që në momentin që bëhej konkurrimi. Kam një rast që nuk mund ta harroj. Kur erdhi Xhevdet Ferri për të konkurruar dikush nga komiteti i partisë më porositi që të mos e fusja për konkurrim. Për çështje biografie. I di si ia ktheva? Unë, i thashë, nuk punoj në komitetin e partisë, unë punoj në Institutin e Arteve. Një rast si ky më ka ndodhur me një konkurrues nga Pogradeci të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Kishte nga ta që përuleshin, por unë nuk kam pyetur dhe nuk i kam marrë në konsideratë “porosi” që bënin me spërkla balte profesionin si artist.

-Sa rëndësi ka për pedagogun krijimtaria si artist?

-Shumë. Pedagogu duhet t’i tregojë studentit krijimtarinë. Me patjetër. Ndryshe ai, nën zë, të thotë “kush je ti?”. Pastaj nëse luan një rol të caktuar, studenti të vlerëson, t’i rrit vlerat si mësimdhënës.

Më duhet të them se roli si artist është më i vlerësuar se ai i mësimdhënësit. Sepse atë e shikon dhe e shijon një masë shumë më e madhe njerëzish. Një filozof thotë: çdo punë i trembet mjeshtrit të vet. Kjo thënie më pëlqen shumë.

-E kini ndjerë veten të vlerësuar në sistemin e kaluar Profesor?

-Në atë kohë artistët nuk paguheshin, por moralisht ishin në majë. Populli i kishte idhuj. Tani është futur në mes leku. Nuk investohet siç investohej atëherë. Mirëpo dëgjoj të thonë: Atëherë shteti investonte për politikë. Mirë, more zotni, investo edhe ti për politikë! Në atë kohë ka patur regjisorë të shkëlqyer, mjeshtër. Dhe kështu do të mbeten. Ç’do brez ka “të mëdhenjtë” e tij. Problemi është që ky brez, sa është në gjendje të nxjerrë “të mëdhenj”, ashtu si ne paraardhësit e tyre. Për mua, si Birçe, duhet kohë që artistët ta marrin veten. Janë bërë përmbysje epokale ndaj edhe punët e mira e duan një kohë të caktuar, nuk bëhen me vrap, o burra tutje. Arti është finesë, është edhe ideologji. Ashtu duhet të jetë edhe politika.

-Të bëjmë pak politikë. Çmendim ka profesor Birçja për zhvillimet në vend, për këtë tranzicion kaq të lodhshëm?

-Kam një mendim të hidhur. Ky vend është krimbur dhe nuk ka zot që e ç’krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre. Unë për veten time jetoj në një apartament dhomë e kuzhinë. Mirë të ka gjetur, më thonë disa shokë, sepse ti je humbameno. Unë nuk fyhem, përkundrazi më bëjnë nder kur më thonë “humbameno”. Në kohën time kishim mentalitet krejt tjetër. Edhe pse kam patur detyra partiake që mund të bëja si të më donte kokrra e qejfit, kurrë nuk e bëra këtë. Absolutisht kurrë. Edhe një frigorifer nuk ma thosh ndërgjegje ta merrja përpara shokëve. E di kush ma siguroi frigoriferin, meqë ra fjala? Pëllumb Kulla ma solli, nga Fieri. Kurrë nuk iu afrova “të mëdhenjve” për të përfituar. Unë kisha vëllanë Sekretar të Parë në disa rrethe të vendit, por asnjëherë nuk i kërkova të më bënte ndere të pamerituara. Nuk i kam dashur servilët, të përulurit që duan të përfitojnë padrejtësisht. Birçe Hasko ka qëndruar servil vetëm para punës. Në aspektin krijues. Në aspektin shpirtëror jam servil ndaj fëmijëve të mi. Sot, miku im, kanë ndryshuar shumë gjërat, janë përmbysur. Sot ka njerëz që po t’u thuash kafshë, ofendon kafshën. Megjithatë, për çka shikoj e dëgjoj, jam i aftë vetëm të dëshpërohem, nuk mund të urrej dot. Këtë ia dëshiroj edhe politikës. Ajo, pra politika, duhet të konkurrojë për të çuar vendin përpara, aty ku na kanë premtuar.

Megjithatë, si qytetar i thjeshtë i vendit tim e kam një dhimbje. Kam atë që po e trajtojnë Shqipërinë si vend pa zot. Është e dhimbshme dhe e frikshme. Nga e kaluara kemi mohuar gjithçka. Është njësoj sikur të mohosh prindërit. Po mirë, kopilë po na bëni more zotërinj që na mohoni gjithçka të kaluar? Këtë pyetje e bëj unë, nuk e di çmendim kanë të tjerët. E kam fjalën që nuk duhet fluturuar.

-Një fjalë të fundit?

-Unë Birçe Haskua, ndjehem i privilegjuar që kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrkush. Unë, “Artisti i Merituar”, “ Mjeshtri i Madh”, e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq të vogël. Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë.

Intervistoi Bashkim Koçi – DITA

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com