Universitetet private, të cilat u mbyllën në 2014-ën me një vendim të Këshillit të Ministrave, dorëzuan pranë Ministrisë së Arsimit regjistrat e tyre, por universiteti jo publik “Kristal” nuk e bëri një procedurë të tillë. Në këto kushte, Ministria e Arsimit bëri një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për veprat penale “Mashtrim” dhe “Shpërdorim detyre”. Pasi e shqyrtoi çështjen, Prokuroria e Tiranës vendosi pushimin e saj.
Në arkivin e Ministrisë së Arsimit, ku ndodhen edhe regjistrat e universitetit jo publik “Kristal”. Regjistrat të vështirë për t’u menaxhuar, jo vetëm në brendi, por edhe fizikisht.
Në përfundim të procesit ishin oficerë të policisë gjyqësore që sollën në Ministrinë e Arsimit 61 regjistrat. Në Ministrinë e Arsimit ka një fluks të madh kërkesash si nga individë e institucione vendase, si dhe nga Kosova e Italia.
Fran Deda interesohet për nusen e djalit në Ministrinë e Arsimit. Nusja dhe djali janë në Itali. Ajo ka marrë një diplomë “Kristali” për infermieri dhe Frani pret që të marrë një vulë nga Ministria e Arsimit e më pas ta çojë për vulë apostile në Ministrinë e Jashtme.
“Unë vij nga Rrësheni dhe jo nga ndonjë zonë e Tiranës. Unë kam 3 muaj që pres”, shprehet Fran Deda. Nusja ka punuar në Shqipëri si infermiere dhe duket se nuk ka problem me vërtetësinë e diplomës. “Më thonë se kanë mbi 4 mijë kërkesa, por unë nuk kam ardhur për të përfaqësuar popullim, por për dokumentet e mia”, thotë Fran Deda.
Kushdo vjen dhe kërkon informacion për autenticitetin e diplomës së vet. “Ministria vendosi t’u referohet regjistrave nga 2017, por duke bërë shënim që nuk garanton vërtetësinë absolute që del nga ato regjistra”, shprehet zëvendësministri i arsimit, Ervin Demo. 22 institucione të arsimit të lartë shumica private u mbyllën me VKM-në e 2014. Zëvendësministri i Arsimit, tregon se sa kërkesa janë trajtuar kohët e fundit nga Ministria e Arsimit.
“Janë 300 apo 400 kërkesa dhe janë verifikuar një sërë problematikash”, thotë Demo. I pyetur në lidhje me 86 diplomat e parregullta që Ministria konfirmoi së fundmi zëvendësmistri shprehet: “Diplomat që kanë qenë dhënë në programe që kanë qenë jo të licencuara, të cilat janë me qindra ndoshta edhe me mijëra mijëra diploma të pavlefshme”.
Zëvendësministri i Arsimit vë theksin edhe tek shtetasit italianë të pajisur me diplomë “Kristali”. “Kanë qenë 900 italianë të regjistruar, kur në “Kristal” nuk ka patur programe në gjuhën italiane apo angleze”.
Por përse nuk ja referon Prokurorisë të gjitha këto raste Ministria e Arsimit? “Regjistrat që ne disponojmë janë regjistra që Prokuroria i ka disponuar. Edhe studentët që nuk i gjejnë emrat nëpër regjistra, pretendojnë që është faji i institucionit që nuk ua ka shkruar emrin në regjistër. Ne jemi të hapur që regjistrat të merren edhe njëherë nëse Prokuroria i dëshiron”, shprehet zëvendësministri i Arsimit, Ervin Demo.