Helm, intriga, rrëfim dhe ndarje la pas vdekja e Lirije Lami, ndodhur më 30 prill të 2017 në Kamëz. Gjashtë ditë pas vrasjes se Lirije Lamit, Marjana Çmeta, asokohë 20-vjeçe shkoi në shtëpinë e Hysen Shehut, i njohur si hoxhë, për t’u rrëfyer për krimin. Ky rrëfim i kushtoi arestimin, pasi nuk e dinte se hoxha po e regjistronte dhe po e filmonte të gjithë rrëfimin e saj për krimin në familjen Lami.
Ditën e sotme në një prononcim për Top Channel, kunati i viktimës ka rrëfyer se si e gjeti në tokë viktimën pas vdekjes. Ditën e ngjarjes, Lirija kishte ardhur të shiste qumësht dhe nuse e vjehrrë janë gjetur vetëm.
“Erdhi Mariana më thirri e më tha; o xhaxh hajde se i ka rënë të fikët mamit! Hyra në shtëpi me vrap tek dhoma e gjumit e Liries e kam gjetur në pozicion të ulur (në dysheme dhe mbështetur tek krevati i fjetjes). I thashë (Marianës) çfarë ka Liria? Më tha, që i ka rënë ajo (mbajtësja) e perdes”, tregon Vehbi Lami, kunati i të ndjerës.