Loading...

Organet e reja të vetingut: Për mediat jemi të hapur vetëm 8 orë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, një nga institucionet e reja të reformës në drejtësi, ka publikuar sot manualin udhëzues për raportet me mediat. Dokumenti parashikon një sërë rregullash të brendshme të institucionit me mediat dhe gazetarët. Ajo që bie në sy është vendosja e disa kritereve strikte për informacionit, siç është fakti se zëdhënësi i këtij institucioni ka detyrë tu përgjigjet mediave vetëm nga ora 09: 00 deri në orën 17:00.

GUDIA PER MEDIAT E KOMISIONIT TE PAVARUR TE KUALIFIKIMIT

Shërbimi ndaj mediave

1.1 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) do t’u mundësojë dhe do të ndihmojë gazetarët të kryejnë detyrën e tyre.

1.2 Gazetari, i cili dëshiron të përdorë mjediset për mediat, duhet të paraqesë kartën e shtypit. Gazetari, i cili nuk e ka këtë kartë, është i detyruar të nënshkruajë protokollin për mediat (shih bashkëngjitur). KPK do t’u kërkojë mediave vendase akreditimin e punonjësve të tyre, të cilët do të vizitojnë rregullisht mjediset e KPK-së.

1.3 KPK ka një koordinator për mediat, me të cilin mund të kontaktohet nga ora 09:00

deri në orën 17:00 me telefon ose e-mail.

1.4 Kontaktet midis KPK-së dhe mediave realizohen nëpërmjet koordinatorit për mediat të KPK-së.

1.5 Informacionet mbi çështjet e përgjithshme lidhur me procesin e rivlerësimit, do të jepen nëpërmjet faqes së internetit të KPK-së.

1.6 Kërkesat për informacione lidhur me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me procesin e rivlerësimit duhet t’i drejtohen dhe do të koordinohen nga koordinatori për mediat në KPK. Parapëlqehet që kërkesat të dërgohen në rrugë elektronike.

1.7 KPK do t’u japë mediave informacione të përgjithshme dhe të përditësuara në faqen e internetit kpk.al

Sqarim: Kjo dispozitë ka për qëllim të informojë gazetarët në lidhje me bashkëpunimin, që ata mund të presin nga ana e KPK-së. Për qëllimet e këtij dokumenti, një person konsiderohet gazetar, nëse ai/ajo boton lajme në një media publikisht të aksesueshme.

KPK ka parashikuar në strukturën e tij koordinatorin për mediat, me qëllim që të lehtësojë kontaktet me mediat dhe shpërndarja e informacioneve për ta të kryhet në mënyrën e duhur, në interes të një procesi rivlerësimi sa më të hapur, transparent dhe në përputhje me ligjin.

Të dhënat e kontaktit për koordinatorin për mediat në KPK mund të gjenden në faqen zyrtare të internetit.

Në faqen e internetit të KPK-së jepen të dhëna konkrete dhe të përditësuara në lidhje me procesin e rivlerësimit.

Në bazë të ligjit, KPK mund të vendosë rregulla (shtesë) me qëllim ruajtjen e rendit në selinë e institucionit dhe gjatë zhvillimit të seancave dëgjimore.

Informacione përpara zhvillimit të seancave dëgjimore
2.1 Koordinatori për mediat në KPK do t’u ofrojë mediave informacione teknike për seancat dëgjimore që po zhvillohen, si dhe për ato në vijim. Të gjitha komunikimet me jashtë kryhen nën përgjegjësinë e Kryetarit të KPK-së.

2.2 Informacioni mbi seancat dëgjimore mund të merret jo më herët se një javë përpara zhvillimit të seancës dëgjimore përkatëse. Ato do të bëhen publike në faqen zyrtare të KPK-së.

2.3 Nëse mediat e dinë datën e zhvillimit të një seance të caktuar, koordinatori për mediat pranë KPK-së mund t’u japë atyre informacione mbi çështje faktike që kanë lidhje me këtë seancë.

Sqarim: Dokumentet procedurale, pjesë e dosjes, nuk vihen në dispozicion për njohje dhe nuk publikohen. Një gjë e tillë ndalohet me ligj. Këto dokumente mund të njihen vetëm nga pala ose palët në proces, nga zyrtarët e institucioneve përkatëse të rivlerësimit dhe nga Vëzhguesit Ndërkombëtarë.

Seanca dëgjimore
3.1 Seancat dëgjimore të KPK-së janë publike dhe mund të ndiqen nga gazetarët.

3.2 Gazetarëve u lejohet të dërgojnë mesazhe në format teksti nga celularët e tyre gjatë zhvillimit të seancës. Zëri në këto aparate duhet të jetë i fikur.

3.3 Kryesuesi i trupës gjykuese mund ta kufizojë apo ta ndalojë një komunikim të tillë, nëse ai do të pengonte hetimin apo zhvillimin e rregullt të procesit të seancës.

3.4 Ndalohet kryerja e regjistrimeve me zë apo edhe me figurë në zonat publike të

ndërtesës së KPK-së.

3.5 Gazetarët që duan të bëjnë regjistrime me zë (apo edhe me figurë), duhet që më parë të kërkojnë leje nga koordinatori për mediat në KPK, i cili mund të vendosë kushte për dhënien e lejes nga ana e KPK-së.

3.6 Gazetarëve u jepet mundësia të bëjnë fotografi përpara zhvillimit të seancës dëgjimore, në një moment të rënë dakord me koordinatorin për mediat.

3.7 Me qëllim zhvillimin e rregullt të seancës dëgjimore, regjistrimet pamore lejohen vetëm nga një pozicion fiks në sallën e seancës, që do të përcaktohet nga koordinatori për mediat pranë KPK-së ose pas konsultimit me të.

3.8 Me qëllim zhvillimin e rregullt të seancës dëgjimore, kryesuesi i trupës së KPK-së mund të vendosë që t’i lejohet hyrja në sallën e seancës vetëm një numri të kufizuar grupesh regjistrimi me kamera. KPK mund të vendosë si kusht që ato media, të cilave u lejohet të regjistrojnë, duhet të shpërndajnë menjëherë regjistrimet edhe te mediat e tjera.

3.9 Nëse u jepet leje nga ana e KPK-së dhe kur t’u jepet kjo leje, gazetarëve u lejohet

të bëjnë regjistrime (pamore) të hyrjes zyrtare të trupës në sallën e zhvillimit të seancës dëgjimore dhe në çeljen e seancës dëgjimore nga ana e kryesuesit të trupës gjykuese. Më pas fiken kamerat dhe mikrofonët dhe këto mjete hiqen nga salla e zhvillimit të seancës.

3.10 Mund të regjistrohen vetëm pjesëmarrësit profesionistë në seancë dëgjimore

(për shembull anëtarët e trupës gjykuese të KPK-së dhe sekretari, Vëzhguesi Ndërkombëtar, punonjësit e Gardës së Republikës). Nuk lejohet të regjistrohen as me zë dhe as me figurë subjekti i rivlerësimit, përfaqësuesi i tij, dëshmitarët, publiku, si dhe asnjë pjesëmarrës joprofesionist në seancë.

3.11 Me përjashtim të regjistrimeve të parashikuara në pikat 3.6 dhe/ose 3.9, nuk lejohet të kryhen regjistrime të tjera me zë apo me figurë në mjediset e institucionit. Sqarim: Në bazë të ligjit, seancat dëgjimore të KPK-së konsiderohen si seanca administrative pak a shumë “të zakonshme”. Mediat e shkruara janë vazhdimisht të pranishme në seancat gjyqësore të shumë gjykatave. Prania e tyre nuk ka pothuajse asnjë ndikim mbi procesin. Mesazhet me shkrim që dërgohen nga ana e këtyre gazetarëve kur ndodhen në sallën e zhvillimit të seancës dëgjimore nuk përbëjnë thuajse asnjë ndërhyrje në zhvillimin e rregullt të ngjarjeve në seancë. Stafi i mediave mund të raportojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi proceset që janë duke u zhvilluar, duke postuar mesazhe të shkurtra me shkrim në faqen e internetit të medias së tyre. Kështu, nëpërmjet internetit, publiku mund të ndjekë thuajse në kohë reale ecurinë e ngjarjeve në seancat dëgjimore.

Në këto udhëzime janë përcaktuar rregulla specifike për regjistrimet me zë apo me figurë gjatë seancave dëgjimore të KPK-së. Personat që marrin pjesë në seanca dëgjimore, apo ata që janë të pranishëm në to për arsye të tjera, qoftë subjekti i rivlerësimi dhe përfaqësuesi i tij/saj, apo pjesëmarrës nga publiku, duhet të ndihen të lirshëm për të marrë pjesë plotësisht dhe me vullnet të lirë, apo edhe të jenë të pranishëm.

Regjistrimet e miratuara të seancës dëgjimore duhet të bëhen nga një kënd i caktuar, në mënyrë që kamera të ndërhyjë sa më pak që të jetë e mundur. Me qëllim që të arrijë të kryejë parapërgatitjet e nevojshme, KPK u kërkon mediave që kërkesa për regjistrim të bëhet të paktën 72 orë përpara seancës dëgjimore.

Kryesuesi i trupës gjykuese është përgjegjës për ecurinë e saktë të ngjarjeve gjatë seancës dëgjimore. Për këtë qëllim, ai ose ajo mund të kufizojë masën në të cilën mediave audiovizuale u jepet e drejta e ndjekjes së mbledhjeve.

Nuk lejohet të bëhen regjistrime me zë apo me figurë të pjesëmarrësve nga publiku në ndërtesën e KPK-së. Nëse ata dëshirojnë të dalin përpara mediave, e kanë mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë jashtë institucionit të rivlerësimit.

Informacione në lidhje me vendimet e KPK-së
4.1 Mediave u lejohet të filmojnë shpalljen publike të vendimit, në bazë të dispozitave të pikës 3, si më sipër.

4.2 Vendimi i arsyetuar me shkrim do të publikohet në faqen zyrtare të KPK, brenda

30 ditëve pas përfundimit të seancës dëgjimore, në përputhje me Nenin 55, pika 7, 3 të ligjit nr. 84/2016. Duke vepruar kështu, KPK ka për qëllim të ofrojë transparencë në proces, duke ruajtur njëkohësisht privatësinë e subjektit të rivlerësimit.

Sqarim: Në parim, të gjitha vendimet e KPK-së do të shpallen publikisht në njërën prej sallave të zhvillimit të seancave dëgjimore. Kjo do të thotë se do të ketë akses si publiku, ashtu edhe mediat. Në përputhje me dispozitat e pikës 3, sa më sipër, duhet të bëhet kërkesë për regjistrim gjatë seancës për shpalljen e vendimit me zë dhe me figurë.

Respektimi i këtyre udhëzimeve
5.1 KPK do të monitorojë respektimin rigoroz të udhëzimeve të tij në lidhje me mediat.

5.2 KPK mund të marrë masat e nevojshme ndaj (stafit të) mediave, që nuk respektojnë udhëzimet e tij mbi mediat. Gjatë marrjes së këtyre masave, KPK do të marrë parasysh llojin dhe shkallën e shkeljes.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com