Kryeministri Edi Rama pezullon përkohësisht njohjen e të drejtës mbi pronën për ata që përfituan tokë nga ligji i famshëm 7501. Pezullimi është miratuar në mbledhjen e qeverisë.
Sipas këtij vendimi, Qeveria thotë se pezullohen procedurat e kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike.
Por këtu “fshihet lepuri”. Pjesa më e madhe e zonave që ligji 7501 do të pezullohet janë zona bregdetare, aty ku dhe investitorët kanë interes.
Qeveria urdhëron kështu njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, pavarësisht nga faza procedurale.
Në listë janë këto qytete: Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol.
Disa nga nenet e ligjit 7501
Neni 1
Në Republikën e Shqipërisë toka ndahet në:
a) Toka bujqësore të zëna me bimët e arrave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtet, kudo që ndodhen, në fshatra, në qytete e në qendra të tjera të banuara, pavarësisht nga madhësia e tyre;
b) toka të zëna me pyje, kullota e livadhe;
Neni 2
Shteti u jep tokë personave fizike a juridike. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe të gjithë të drejtat që përmbahen në këtë ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës.
Neni 5
Familjet anëtare të kooperativës bujqësore, pas ndarjes së tokës kanë të drejtë të shkëputen dhe te dalin subjekt më vete, duke marrë në pronësi tokën bujqësore që u takon nga tërësia e subjektit ku bëjnë pjesë. Sasia dhe vendi ku do të jepet toka, përcaktohet nga komisioni i tokës. Në zonat kodrinore e malore, ku familjeve fshatrave nuk u sigurohet sipërfaqja e nevojshme e tokës bujqësore, shteti merr masa dhe u garanton burime të tjera jetese nëpërmjet subvencioneve, shtimit të investimeve për punësimin e njerëzve, vendosjes së asistencës sociale dhe lëvizjes së kontrolluar të popullatës, në bazë të një programi të caktuar nga Këshilli i Ministrave.
Neni 6
Familjeve me banim në fshat, që nuk janë anëtare të kooperativës bujqësore dhe familjeve që punojnë e banojnë në ndërmarrjet bujqësore, u jepet në përdorim tokë bujqësore, madhësia e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteret që përcaktoi vetë Rama për të marrë tokë me ligjin 7501
Të gjithë familjet bujqësore që kanë marrë tokë në vitin 1991 me ligjin 7501 do të marrin tapitë. Personat që zotërojnë titujt e pronësisë dhe Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim, të fituara me ligjin për tokën bujqësore do të verifikohen nga komisionet vendore pranë njësive të qeverisjes vendore. Komisionet vendore do të verifikojnë nëse sipërfaqja e tokës, e dhënë në korrik të vitit 1991 është në përputhje me gjendjen familjare në atë moment dhe nëse dokumenti është lëshuar sipas rregullave. Domethënë nëse janë të rregullta firmat dhe vula. Më pas titujt e rregullt do të regjistrohen në Hipotekë.
Familjet që kanë përfituar tokë me ligjin 7501 dhe kanë Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim duhet të bëjnë kërkesë pranë njësive të qeverisjes vendore për të marrë titullin e pronësisë, tapinë. Njësia e qeverisjen vendorë bën verifikimin dhe më pas dosja kalon në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bëhet vetëm regjistrimin.