Lëvizja Socialiste për Integrim po shkon drejt asgjesimit të plotë. Edhe pse nuk thuhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, në draft-planin e ri të qeverisë për periudhën 2018-2020, në objektivin e pestë të DAP theksohet se në administratën publike do të kryhet një monitorim i thellë ku në fokus do të jetë cilësia e ofrimit të shërbimeve publike. Në këtë pikë pritet që të ketë edhe spastrime të punonjësve, veçanërisht të militantëve të LSI, të cilët mund të rezultojnë se nuk e kanë kryer në mënyrën më cilësore të mundshme punën e tyre.
E në këtë pikë pritet që të ketë edhe spastrime të punonjësve, veçanërisht të militantëve të LSI, të cilët mund të rezultojnë se nuk e kanë kryer në mënyrën më cilësore të mundshme punën e tyre.
Departamenti i Administratës Publike ka bërë publik dje draft-planin e ri të qeverisë për periudhën 2018-2020. Për këto dy vite janë bërë të ditura në faqen zyrtare të DAP të gjitha objektivat e socialistëve për të kryer me suksese këtë reformë të ndërmarrë, por ndër të tjera bie në sy se fokusi është përqendruar kryesisht tek spastrimi i militantëve.
“Monitorimi i cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike pranë qendrave të integruara dhe sporteleve të shërbimeve ADIS; Pilotimi i zbatimit të kuadrit për vlerësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike pranë institucioneve të qeverisjes qendrore”, thuhet në objektivin e cituar nga “Sot”.
Po ashtu një tjetër synim i rëndësishëm që ka lidhje me eficencën e nëpunësve publikë është ai numër 10, ku nënvizohet se do të përgatitet një metodologji për monitorimin dhe vlerësimin e performancës së institucioneve dhe agjencive të varësisë.
Gjithashtu priten ndryshime edhe në paga. Në objektivin e shtatë sqarohet se ky organizim do të bëhet në bazë të vlerësimit të vendit të punës. Po ashtu ata nëpunës civilë të cilët kanë patur më shumë rezultate të kënaqshme në punën e tyre dhe në trajnimet e detyrueshme pritet të përfitojnë një rritje pagash.
“Organizimi i sistemit të pagave në shërbimin civil duke u bazuar në vlerësimin e vendit të punës, të arritjeve vjetore të nëpunësve civilë dhe rezultateve në trajnimet e detyrueshme: Rishikimi dhe miratimi i strukturës së re të pagave: Hartimi dhe miratimi i një dokumenti për politikat; në sistemin e pagave dhe miratimi i strukturës së re të pagave; Miratimi i vendimeve të reja për pagat dhe zbatimi i strukturës së re; Rishikimi i raporteve mes pagës maksimale dhe pagës minimale/mesatare në administratën publike, me qëllim ruajtjen e një piramide objektive të pagave dhe motivimin e pozicioneve drejtuese, si edhe diversifikimi i klasifikimit sipas përmbajtjes së punës”, shpjegohet në objektivin 7. Nga ana tjetër socialistët kanë si objektiv edhe që të rrisin më tej nivelin e zbatimit të ligjit për nëpunësin civil. “Marrja e masave për: rritjen e nivelit të zbatimit të ligjit për nëpunësin civil, për të gjitha subjektet e përfshira në këtë ligj, aplikimin e unifikuar të instituteve të tij, në njësitë e qeverisjes vendore (Trajnimi i nëpunësve të burimeve njerëzore dhe të njësive të financës për përdorimin e SIMBNJ)”, shkruahet në objektivin e gjashtë.