Loading...

Lulzim Basha dhe Edi Rama, dollarë e drogë

-Lulzim Basha telashe me paratë ruse të lobimit në SHBA, Edi Rama në hall me tonelatat e hashashit dhe linjat e kokainës.

-Prokuroria duhet të thërrasë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën të dëshmojnë para prokurorëve të Krimëve të Rënda për akuzat dhe faktet që kanë për njëri tjetrin.

Skena politike në vend është mbushur këto ditë me skandale, dyshime, akuza dhe aludime të padëgjuara më parë që kanë tronditur opinionin publik. Nga njëra anë kemi opozitën që liston një seri akuzash që lidhen me drogën, trafikun e hashashit dhe linjat e kokainës, që sipas saj, drejtohen nga qeveria dhe mazhoranca. Nga ana tjetër, si rrallë herë, është mazhoranca që është hedhur në një kundërofensivë që e lidh PD-në dhe posaçërisht Lulzim Bashën me fijet e spiunazhit rus. Qytetarët, si të ishin në një spektakël televiziv, shikojnë e dëgjojnë njëherë Bashën dhe njëherë Ramën për probleme spiunazhi dhe kokaine, pasi institucionet si Prokuroria ende nuk janë të afta të ndajnë se cila është sajesa dhe çfarë është e vërtetë në këtë çorbë akuzash.

Prokuroria duhet të thërrasë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën të dëshmojnë para prokurorëve të Krimëve të Rënda për akuzat dhe faktet që kanë për njëri tjetrin.

Në serinë e akuzave politike, kjo e lidhjeve me Kremlinin ishte e harruar, të paktën që nga vitet e komunizmit. Por Partia Socialiste dhe Edi Rama e kanë risjellë fuqishëm dhe më fortë se kurrë propagandën e “armikut të jashtëm” dhe rrezikun kombëtar nga vendet jo dashamirëse. Këto ditë PS ka etiketuar si armikun publik numër një të sigurisë kombëtare Lulzim Bashën. Për Ramën dhe gjithë PS-në, Lulzim Basha është njeriu që u pagua nga rusët për të shkuar në SHBA dhe për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Baza e akuzave është shkrimi i revistës “Mother Jones” në SHBA. Nëse akuzat janë të vërteta, sigurisht që ky do të ishte fundi politik i Lulzim Bashës. Por shpalljen fajtor dhe dënimin për spiunazh nuk mund ta jap partia dhe as Edi Rama. Ndikimit rus në politikën e brendshme është një çështje që mund t’i përgjigjen vetëm institucionet. Por për shkak se Prokuroria jonë nuk ka nisur asnjë hetim të tillë seroz, atëhere mbetet që përgjigja të jepet në SHBA, aty ku dhe pretendohen se janë bërë pagesat.

Nëse besojmë atë që thotë PS, duhet të besojmë dhe ato që deklaron Lulzim Basha kundër Ramës dhe që duket se lidhen sërish me rusët dhe Kremlinin. Sipas Bashës në nëntor 2017 Rama ka takuar shefin e kompanisë së naftës dhe gazit, “Gunvor”, Tornbjor Tornqvis. Kompania në fjalë ka një bashkëpronar rus Genady Timchenko, që ka qenë në listën e zezë të SHBA. Nëse ndjekim logjikën e akuzave, rezulton se qeveria “Rama” ka ndërtuar marrëdhënie biznesi me një kompani ruse të dyshimtë, gjë që është po aq e rëndë dhe skandaloze sa akuzat e PS-së ndaj PD-së.

Realisht në këtë historinë e akuzave të PS, Lulzim Basha e ka një siklet. Fakti është se paratë e paguara në SHBA për lobim nuk ka financier në PD që mund ti rakordojë. Por në ndihmë i vijnë historitë e PS me Bilal Shehun dhe paratë e derdhura lumë nga PS për foto me Trump dhe shkrime të porositura në mediat amerikane. Historia e parave të lobingjeve të PS dhe PD ka brenda skandale pa fund.

Si rrallë herë në këtë histori është përfshirë e gjithë media e majtë dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Edhe dje në një takim me fshatarët në Librazhd, Taulant Balla u fliste për rrezikun rus nga ana e PD-së, ndërkohë që vetë Presidenti Trump u takua me Presidentin rus Putin.

Hetimi duhet të jetë nga prokuroria për burimin e parave të fshehta dhe pse nuk janë deklaruar. Këtu është shkelur ligji, gjithnjë nëse drejtësia e verteton. A janë para ruse apo amerikane, njëlloj mbetet krimi kur nuk janë transparente. Por duket se Rama e ka kapur mat, për momentin, Bashën për dollarët. Kjo dsyhohet se bëhet edhe për të larguar vëmëndjen nga kokaina e Durrësit e cila kishte vlerë tregu 180 milion dollar. Një sasi e tillë droge erdhi në Shqipëri me garanci politike dhe akoma edhe sot nuk ka të arrestuar. Veç sasisë së fundit të kokainës, Edi Rama ka dhe probleme të tjera me kanabisin dhe parcelat me hashash që mbroheshin nga Ministria e Brendshme, dikur. Të gjitha këto janë çështje që rëndojnë mbi qeverinë “Rama” dhe kërkojnë emra konkret që të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Ky lumë akuzash ku për PD-në droga po cenon sigurinë kombëtare dhe për PS, paratë ruse po kërcënojnë sigurinë kombëtare, kërkojnë përgjigjen e institucioneve më të larta shtetërore.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka nevojë të mblidhet për kokainën dhe krimin e organizuar si dhe për “investimet ruse” për PD-në që shkelin ligjin.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com