Një shkrim investigativ me autorë David Corn, Hannah Vevintova dhe Dan Friedman, hodhi dritë mbi lidhjet e fshehta të Partisë Demokratike dhe kompanive të lobimit.
Në artikullin e gjatë, zbulohen fakte konkrete ku “selia blu” ka ofruar pagesa të kripura për promovimin e liderit të saj Lulzim Basha, në SHBA. Ndërsa kjo trazoi ujërat e politikës shqiptare.
Sakaq, gazetarët amerikanë u janë përgjigjur sisa pyetjeve nga Report Tv. Tre gazetarët rrëfejnë se si arritën të zbulojnë provat mbështetëse për investigimin e tyre. Si provë konkrete gazetarët i referohen regjistrimeve të biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat flasin për atë që Biniatta Trade ishte e lidhur me kompani të tjera guackë, që lidhen me shtetas rusë. Ata e kanë konsideruar absurd pretendimin e Partisë Demokratike se shkrimi është paguar nga Edi Rama, duke shtuar se nuk pranojnë kurrë pagesa për një investigim.
“Ne i dërguam e-mail PD-së në Shqipëri dhe firmës lobuese që e përfaqësonte atë, por nuk morëm asnjë përgjigje. Gjithashtu u përpoqëm disa herë të kontaktojmë lobistë në Uashington për Partinë Socialiste të Ramës dhe ata refuzuan të flisnin për këtë histori”, shprehen gazetarët.
“Investigimi e bën të qartë se është e vështirë të gjurmosh të gjitha lidhjet e bizneseve amerikane. Por ne ishim në gjendje të përdornim regjistrimet në Mbretërinë e Bashkuar për të zbuluar gjithë këtë”, theksojnë ata më tej, ndersa shtojnë se artikulli e tregon qartë lidhjen me rusët.
“Artikulli e tregon qartë se regjistrimet e biznesit në Mbretërinë e Bashkuar flasin për atë që Biniatta Trade ishte e lidhur me kompani të tjera guackë që lidhen me shtetas rusë. Ky është thelbi i lidhjes me rusët”, kanë deklaruar gazetarët.