Loading...

Kokaina rekord/ Pronari i kompanisë në Gjermani, policia i shkon për kontroll në shtëpi, por ja çfarë ndodh

Dy të arrestuarit për ngarkesën e 613 kg kokainë, të kapur më 28 shkurt të këtij viti në Maminas, janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

“Panorama” zbardh një pjesë të dëshmive të menaxherit të firmës “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj, dhe të shoferit të kamionit, Armando Pezaku. Lushaj u ka thënë hetuesve se ai nuk ka lidhje me ngarkesën e drogës.

Ai është shprehur se vetëm menaxhon ngarkesat e bananeve që porositen nga Çekaj dhe merret kryesisht me procedurat doganore në Portin e Durrësit. Ai ka thënë se kontenieri ku u gjet droga, ishte dy javë me vonesë, pasi ishte mbajtur më shumë në Portin e Livornos.

Sipas Lushajt, ka qenë një telefonatë nga agjenti doganor në Portin e Durrësit, ajo që e ka alarmuar për kontenierin, ndaj edhe ai është nisur për atje. Lushaj ka treguar se agjenti i tha se kontenieri kishte probleme, por gjithçka u mbyll aty dhe ngarkesa lëvizi në drejtim të Maminasit, ku edhe u kap nga Policia.

“Ngarkesat nuk porositeshin nga unë. Me to merrej pronari, Arbër Çekaj. Ai porosiste ngarkesat që 30 ditë para në Kolumbi, Ekuador dhe vende të tjera të Amerikës Latine. Unë merresha vetëm me procedurat doganore në Portin e Durrësit. Kam që në vitin 2014 që punoj në atë firmë”, ka thënë Lushaj. I pyetur konkretisht për kontenierin e fundit, ku edhe u gjet droga, Lushaj ka thënë se ai ka marrë një telefonatë nga një agjent doganor.

“Më telefonoi një punonjës i Doganës, A.M., i cili më tha se skaneri kishte dhënë sinjale për kontenierin dhe duhet të paraqitesha në Doganë. Shkova menjëherë atje dhe kryem të gjitha procedurat. Unë e dija se kishim pasur probleme edhe në Livorno, ku u vonua ngarkesa, por më pas ishin kryer veprimet dhe nuk ndodhi gjë. Pasi kaloi kontenieri dhe plotësuam dokumentacionin, vazhduam drejt Maminasit, ku edhe na arrestuan”, ka shtuar ai më tej.

Ndërsa shoferi i kamionit, Armando Pezaku, ka thënë se ai nuk ka pasur dijeni për ngarkesën dhe se punon në një shoqëri transporti që është kontraktuar nga “Arbri Garden”. “Unë nuk di asgjë. Kisha vetëm 4 muaj punë. Më morën në telefon eprorët dhe më thanë të merrja ngarkesën në Port”, ka thënë i riu.

LETËRPOROSIA

Pas marrjes së dëshmive të të dy të rinjve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar një letërporosi për autoritetet në Livorno në lidhje me kontenierin ku u gjet droga. Sipas hetuesve shqiptarë, skaneri ka treguar ndërhyrje në kontenier, çka ka ngritur dyshime për diçka të paligjshme. Më konkretisht, në skaner kanë dalë disa mbushje silikoni në pjesën fundore të kontenierit.

Për të shuar dyshimet, autoritetet shqiptare kanë bërë dorëzim të kontrolluar të ngarkesës, duke arrestuar më pas edhe dy të rinjtë. Në letërporosinë dërguar autoriteteve italiane, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon të mësojë se çfarë procedurash janë kryer për kontenierin në Portin e Livornos. Kjo pasi, kontenieri ishte i shoqëruar me vulat dhe dokumentacionin përkatës nga autoritetet doganore italiane, se i ishte nënshtruar skanerit atje.

Gjithashtu, ka dyshime se kontenieri mund të mos jetë kontrolluar në Livorno dhe dokumentet mund të jenë falsifikuar. Për të shuar këto dyshime, Prokuroria kërkon përgjigje nga pala italiane. Ka qenë mbushja me silikon, ajo që ka ngritur dyshimet te pala shqiptare për kontenierin. Nuk dihet nëse ajo është kontrolluar më parë nga italianët, por këta të fundit kanë sinjalizuar palën shqiptare për kontenierin e dyshimtë, pa specifikuar nëse në të kishte drogë ose jo.

Për rastin, është shpallur në kërkim edhe administratori i “Arbri Garden”, Arbër Çekaj. Ky i fundit ndodhet në Gjermani dhe ka thënë më parë se do të vijë të përgjigjet për akuzat. Por deri më tani, ai nuk është kthyer ende. Ndërkohë, Policia ka kryer tri ditë më parë kontroll në banesën e tij, pa gjetur asgjë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com