Armando Pezaku, shoferi i kamionit ku u kapën 613 kilogramë kokainë, ka folur ditën e sotme nga ambientet e paraburgimit.
Ai ka thënë se nuk e ka idenë se çfarë kishte brenda atyre konteinerëve dhe se atë ditë që është kapur sasia e madhe e drogës, ka transportuar edhe dy konteinerë të tjerë nga porti për në Tiranë.
Për shprehjen “U çoj miell partizanëve”, Armando Pezaku është shprehur se nuk e përdor fare Facebook-un, ndërsa bën me dije se ka rreth gjashtë muaj që punon në atë kompani.
Ai tha para trupës gjykuese:
Ditën që çova kontejnerin në Maminas, paradite dërgova dhe dy kontejner në Tiranë. As kisha, dhe as s’kam dijeni se ç’ka në kontejner. Për sa i përket Facebook-ut ku është shkruar “I çoj miell partizanëve”, ma ka hapur vëllai që kam me vite më të vogël dhe as merrem me Facebook. Kur më mori kompania në telefon isha në Tiranë pranë rrugës së Elbasanit dhe me kamion shkova në port. Kam 6 muaj që punoj si shofer, shoferët e tjerë më të vjetër s’preferonin të bënin transport nga porti i Durrësit dhe unë si më i riu më jepnin të bëja rrugët e portit dhe nuk kundërshtoja”.