Emisioni investigativ Fiks Fare tregoi sonte sesi një punonjës funerali sillet si “drejtor nate” në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Ai është i punësuar pranë një agjencie funerale, por gjithashtu, autoritetet e Institutit të Mjekësisë Ligjore i kanë lënë çelësat e morgut për të administruar punën nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 8 të mëngjesit, kur rikthehet në detyrë personeli.
IML pretendon se ka një kontratë shërbimi me agjencinë funerale, ku është i punësuar ky person, por në asnjë pikë të saj, nuk deklarohet se ai ka të drejtë të marrë viktimat nga ambulancat shtetërore, t’i fusë në morg, apo t’i nxjerrë prej tij, siç konstatohet nga Fiks Fare.
Investigimi i këtij rasti nisi pas një sërë ankesash nga qytetarët e Tiranës, që dërguan fotot e makinave të një agjencie funerale brenda ambienteve të morgut të Tiranës dhe foton e një personi, për të cilin pretendohet se është punonjës i agjencisë funerale, por punon edhe natën në morg.
Pas denoncimit, gazetarët e Fiks Fare shkuan në morgun e Tiranës për të verifikuar rastin, ku u konstatua se punonjësi i denoncuar është Besmir Isufi. Emisioni investigativ konstatoi se ai punon në agjencinë funerale Univers dhe gjatë natës hap dyert e morgut për viktimat që vijnë, qoftë nga agjenci private, por qoftë edhe nga ambulancat shtetërore. Madje, ai është i vetmi person që gjatë natës drejton punët në morgun e Tiranës.
Për këtë arsye, Fiks Fare pyeti edhe Institutin e Mjekësisë ligjore, lidhur me punësimin e tij. IML-ja vuri në dispozicion për Fiksin një kontratë shërbimi me agjencinë funerale “Univers”, ku kjo agjenci ngarkohet të transportojë mbetje kockore dhe kufoma të paidentifikuara nga vendngjarja për në morg sipas kërkesave të prokurorive në rrethe. Por, në asnjë pikë të kontratës nuk deklarohet se punonjësi i kësaj agjencie mund të mbajë çelësat e Mjekësisë Ligjore, të drejtojë punët gjatë natës në morg, duke pritur ambulancat shtetërore me viktima, duke u sjellë si “drejtor nate” pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore.