Tri ditë përpara se të nisin provimet, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar kalendarin e datave si dhe emrat e 800 kandidatëve, që kanë aplikuar për të fituar mundësinë e punësimit për një nga vendet vakante në arsim.
Të parët që do të testojnë njohuritë e tyre nga kjo e martë deri në datën 13 mars janë mësuesit e profilit gjuhëletërsi, të ndjekur nga arsimi fillor, parashkollor e gjuha angleze. Në total, janë rreth 6 mijë mësues që do të futen në provime, që janë parashikuar të zgjasin deri më 27 prill.
ÇFARË PËRMBAN TEZA
Specialistët e IZHA-s kanë hartuar pesë llojet e testeve sipas grupimeve kryesore të profileve. Përgjatë 60 minutave, kandidati do të duhet t’iu përgjigjet 50 pyetjeve me alternativa, të hartuara në bazë të shkallës së vështirësisë: të lehtë, mesatar dhe të vështirë, duke u vlerësuar përkatësisht me 1,2 dhe 3 pikë.
Në rast se të gjitha përgjigjet janë të sakta, kandidati fiton plot 70 pikë, të cilat së bashku me ato të dosjes, 30 maksimalisht, përbëjnë totalin e pikëve me të cilat ai garon për një vend vakant.
Ashtu si provimi, edhe vlerësimi do të bëhet manualisht. Secili prej mësuesve që i nënshtrohet provimit do të informohet menjëherë pas tij me numrin e pikëve që ka marrë.
Kandidatët që janëtestuar vitet e kaluara dhe duan të mbajnë pikët që kanë, nuk janë të detyruar të futen në provim. Pikët e tij dërgohen nga njësia arsimore vendore në MAS dhe do të shërbejnë për renditjen për fundimtare që do të bëjë Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar.
PROVIMI
Në të katërtin vit të “Mësues për Shqipërinë”, arsimtarët e rinj e të vjetër që janë në kërkim të një vendi pune do të testohen në formë dixhitale në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ose ish-AKP. Thuajse të gjithë mësuesit kanë kaluar një herë nga kjo godinë me dhënien e provimit të licencimit.
Kështu, si forma dhe rregullat e tij janë gati të njëjta. Kandidatët, së pari, duhet të shikojnë datën dhe orën e testimit dhe të paraqiten atje së paku 30 minuta më herët, të pajisur me një kopje të kartës së identitetit ose pasaportës si dhe formularin e pranimit nga ana e DAR/ZA për fazën e dytë të
konkurrimit.
Mungesa, qoftë e njërit prej dokumenteve e penalizon kandidatin nga provimi, duke i humbur të drejtën për t’u testuar, e rrjedhimisht edhe për t’u punësuar. Sipas rregullores së MAS, nëse kandidati nuk paraqitet në testim ose tërhiqet para fillimit të tij, atëherë ai nuk vlerësohet si i kryer.
Po ashtu, ai e ka mundësinë të tërhiqet gjatë testimit, por me kushtin që të nënshkruajë një deklaratë me rezultatin e marrë. Ama, një gjë është e qartë: nëse ai del nga salla, nuk mundet të rihyjë më për t’u testuar.