Hëna Arapi, fqinje e 54-vjeçarit Agur Vernozi, ka qenë dëshmitare e ngjarjes së rëndë, e cila tregon dhe fjalet e fundit te 53-vjecarit.
Gruaja tregon se pasi mori vesh se po grabisnin piken e kembimit valutor, Vernozi beri thirrje per t’i shkuar ne ndihme te zotit te dyqanit.
Ju e njihnit mirë familjen dhe vetë Agurin. Ishit e pranishme kur ndodhi ngjarja?
Po, isha këtu. Ata janë futur në dyqan, por ne vetë nuk e pamë. Aguri erdhi këtu përpara dhe tha se ishin futur hajdutët në dyqanin e Gëzimit po ‘hajdeni çuna ta ndihmojmë’. Kështu bërtiti dhe kërkoi të angazhoheshin edhe njerëz të tjerë për ta ndihmuar Gëzimin me të shoqen. Ai kujtoi se i kishin armë lodra. Nuk mendoi se i kishin armë të vërteta, por sido që ishte, u bë gati të futej në grykën e zjarrit.
Çfarë ndodhi më tej?
Po ishte i përfshirë emocionalisht. Donte që ta shpëtonte kambistin. Mori karrigen dhe shkoi në dyqan ku u përplas me ta, duke e goditur njërin me karrige në kokë. Pas kësaj u bë rrëmujë dhe të dy grabitësit dolën nga dyqani. Në dalje ata qëlluan në drejtim të Agurit dhe ky ra në tokë pa lëvizur. Ne bërtitëm e kërkuam ndihmë. Ishin shumë njerëz aty që kërkonin ndihmë, por sa erdhi policia e ambulanca, Aguri humbi shumë gjak. Nuk reagonte fare.
Si e konsideroni këtë veprim të Agurit, ku në fakt mjaft qytetarë të tjerë nxituan të largoheshin?
Ai për mua është hero. Por nuk shtohet më këtu në këtë vend me këto lloje krimesh. Të të marrë jetën tjetri, jetën që ta ka dhënë Zoti, nuk ka krim më të madh se kaq. Është tragjike. Të jetë dikush në shtëpinë e vet e t’i shkojnë tjetrit t’i marrin mundin e djersën e tij apo edhe në rastin e djeshëm’ që ta vrasin tjetrin se mbron mallin e djersën e tij apo të mikut të tij. Vetëm këtu te ne ndodh kjo. Këtu s’ka vend për të qëndruar. Jemi të shokuar nga kjo. Kjo gjë është e tmerrshme. Jemi të terrorizuar nga kjo. Aguri ishte njeri i jashtëzakonshëm me të gjithë kuptimin e fjalës. Punonte, ishte intelektual, ai e mbante familjen. Më këpusin shpirtin fëmijët e tij se si qajnë. Djali i vogël vetëm 10 vjeç, derisa erdhi lajmi që vdiq i ati, shpresonte shumë. Çfarë faji kishte Aguri, çfarë faji kanë fëmijët e tij. Gruaja e tij humbi bashkëshortin, fëmijët babanë. Ata mbetën tani pa përkrahje se vetëm atë kishin. Nuk kemi fjalë për këtë ngjarje të rëndë. Një vajzë e ka në shkollë të lartë, dy të tjerë në gjimnaz këtu e tjetrin të vogël fare. Ata të tre, shteti t’i dënojë maksimalisht.