Loading...

Del në pah e vërteta: Mbyti gruan me litar, si u zbulua nga përgjimet burri vrasës

Një vit pas vdekjes misterioze të shtetases Vreke Velaj, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur të zbulojë arsyen e vërtetë të saj.

Nuk bëhet fjalë për vdekje nga hipertensioni, siç është shkruar në kartelën e së ndjerës, por për një vrasje makabre dhe të mbuluar me autor të shoqin e viktimës, Namik Velaj. Ky krim në familje është zbuluar vetëm pas një viti dhe me insistimin e familjarëve të viktimës, të cilët kanë dyshuar fort për vdekjen e Vreke Velajt.

“Panorama” mëson se Vreke Velaj është keqtrajtuar nga i shoqi i saj dhe është mbytur nga ai. Kanë qenë përgjimet telefonike, që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj autorit të vrasjes, të cilat kanë konfirmuar edhe dyshimet e familjarëve të Vreke Velajt.

NGJARJA

Burime nga grupi i hetimit thonë  se në janar të vitit 2017, Namik Velaj, për arsye që ende nuk dihen, është konfliktuar me bashkëshorten e tij, Vreke Velajn në banesën e tyre në Patos dhe e ka keqtrajtuar atë duke e mbytur dhe thyer krahun. Pas vrasjes, ai menjëherë ka nisur të thurë planin për zhdukjen e provave. Ai ka thirrur një mjek të Qendrës Shëndetësore të Patosit, shtetasin Ilir Tanku.

Ky i fundit, në shkelje të ligjit, ka përcaktuar se shkak i vdekjes së të moshuarës ka qenë hipertensioni, duke e trajtuar si vdekje natyrale. Në këto kushte, Namik Velaj ka nisur të zhdukë provat për krimin e kryer duke organizuar vetë ceremoninë mortore.

Ai i ka vendosur viktimës një shall rreth qafës në mënyrë që të zhdukte shenjat e dhunës në qafën e saj. Një ditë më pas, gjatë ceremonisë mortore, familjarët e viktimës kanë kërkuar që të lëvizin trupin dhe ta shohin, por Namik Velaj ka kundërshtuar. Ai u ka kërkuar atyre që të mos ia hiqnin shallin trupit të viktimës, pasi e kishte amanet nga vajza, e cila kishte ndërruar jetë një vit para ngjarjes.

Përkundër insistimit të Velajt, familjarët e viktimës kanë insistuar dhe kanë mundur që t’ia heqin shallin kufomës, duke konstatuar mavijosje të qafës dhe fryrje në shpatull. Që të mos binin në sy tek autori i krimit, familjarët e viktimës kanë preferuar të heshtin dhe ta ndjekin rastin në rrugë ligjore.

HETIMET

Pas disa denoncimeve në Prokurorinë e Fierit dhe në Polici, të cilat ranë në vesh të shurdhët, familjarët e viktimës Vreke Velaj kanë kontaktuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin. Prokurori që mori dosjen, Besnik Muçi nisi menjëherë hetimet.

Ai fillimisht mori deklarimet e vëllait të viktimës dhe motrave të saj për ngjarjen. Duke qenë se viktima ishte varrosur tashmë, e vetmja shpresë për të zbardhur ngjarjen ishin përgjimet telefonike. Për rreth 5 muaj, autori i krimit, Namik Velaj, ka qenë nën përgjim telefonik nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kanë qenë këto përgjime që kanë mundur të zbardhin ngjarjen.

Duke biseduar me disa të afërm, Namik Velaj, ka folur edhe për krimin makabër. Burimet thonë se në disa biseda, Velaj ka shprehur bindjen se vrasja nuk do të mund të zbulohej, pasi trupi ishte varrosur dhe dekompozuar, çka vështirësonte autopsinë për shkakun e vrasjes. Kaq ka mjaftuar që Prokuroria e Krimeve të Rënda të kërkojë arrestimin e Namik Velajt dhe detyrim paraqitjeje për mjekun.

Gjithashtu, Gjykata ka firmosur edhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit ndaj mjekut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”. Nuk dihet nëse mjeku ka qenë në dijeni të vrasjes apo thjesht ka neglizhuar detyrën. Ai është nën hetim dhe shumë shpejt do të merret në pyetje për rastin. Gjithashtu, janë marrë edhe deklarime nga të afërmit e tjerë të viktimës, të cilët kanë pohuar se Velaj keqtrajtohej nga i shoqi i saj dhe ai shpesh nuk e linte të dilte nga shtëpia.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com