Vijojne replikat e Fatos Klosit me ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhine. Klosi mendon se për vrasjen e Azem Hajdarit, Haxhia duhet të ishte paraqitur në gjyq dhe të fliste, pasi tani, sipas Klosit, është tepër vonë.
“Unë nuk besoj se kjo do të përmbysë ndonjë gjë. Sepse shumica e njerëzve nuk janë gjallë.
Ata që e vranë, vërtet nuk janë.
Jaho është në burg dhe ai nuk ka folur dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.
Them se është e vështirë të ndryshojë ndonjë gjë në atë gjyq”, thotë Klosi për “Panorama”.
Ai tregon se çfarë i kanë thënë vrasësit e Azemit dhe si i kanë treguar se ata kanë bashkëpunuar me Sali Berishën, për ekzekutimin e Hajdarit.
“Vrasësit më kanë thënë se ne me Azemin ishim në hakmarrje, por Berisha kishte interes nga ai eliminim.
Bashkëpunuan të dyja palët dhe u krye.
Në mënyrë të përsëritur Berisha ka deklaruar se kur të vijmë në pushtet, do ta zbardhim dosjen “Hajdari”.
Unë Berishës i kam kërkuar publikisht që të rihapë gjyqin e Azemit.
Por ai, për 8 vjet në pushtet, nuk e preku me dorë dhe vazhdon të thotë se Azem Hajdarin e ka vrarë Fatos Klosi”, thotë ish kreu i SHIK.