[sgmb id=”1″]
Përpjeket e një bashkëshorti nga Elbasani për të shpëtuar gruan e tij e cila gjendet shumë pranë vdekjes kanë rënë në vesh të shurdhët.
Ai quhet Çlirim Zekthi dhe ka kërkuar ndihmën e institucioneve për të shpëtuar gruan e tij, por jo vetëm që nuk e kanë ndihmuar por i kanë bllokuar edhe numrin në mënyrë që të mos i shqetësonte.
Dhe ai dëshpërimisht me buzën që i dridhet, i është drejtuar medias, shansit të fundit për të shpëtuar më të dashurën e tij.
Ai banon në lagjen Shën Koll në Elbasan. Bashkëshortja, Majlnda, 30 vjeçe, nënë e një fëmije, është diagnostikuar me kancer. Lajmi i ka tronditur shumë. Por shpresa dhe shkenca nganjëherë bëjnë mrekullinë, raporton infoelbasani.al.
Në duar mban gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe kartelën shëndetësore që vërteton sëmundjen e rëndë. Spitali onkologjik në Tiranë i është përgjigjur vetëm muajin e parë.
Nevojitën edhe 6 të tjerë që të përfundojë terapia e kombinuar me rreze dhe ilaçe citostatikë. Por gjithçka është fikur që në muajin e dytë.
“Bashkëshortja është e shtrirë në shtrat. I shërbej sikur të ishte një fëmijë. Muajin e parë na pritën mirë, por të dytin nisën të na sorollatin. Dërgova gruan për të marrë seancën e radhës. E mbajtën dy orë në krevat dhe pastaj më thanë, nuk kemi ilaç, shko bleje vetë në farmaci.
Ilaçi kushton 500 euro. Ne jemi të varfër. Unë jam i papunë ndërsa gruaja merr vetëm 100 mijë lekë të vjetra kemp. Ku të shkoj. Askush nuk më ndihmon. Ajo ka një sëmundje të rëndë që nuk pret.
Nuk mund ta shtysh përparon me shpejtësi. Ka dy muaj që i është ndërprerë ilaçi. Kam kërkuar spitalit, por më thonë nuk kemi edhe pse është ilaç që rimbursohet nga shteti dhe ata me kancer duhet ta marrin falas të gjithë. I bie telefonit të spitalit, të drejtorisë por ma mbyllin. Tani ma kanë bllokuar fare.
Edhe sikur ta nis për në Tiranë është e kotë. Ata nuk nuk bëjnë asgjë. Kështu më lanë dhe radhën e kaluar. Nuk di çfarë të bëj. Askush nuk don t’ia dijë”-tregon ai me lot në sy.
Burri shprehet se nuk çfarë mund të bëjë vetëm të shpëtojë jetën e bashkëshortes së tij.
“Unë besoja në shtet dhe për më tepër për një rast të tillë. Dua ti shpëtoj jetën gruas. Mjekët më thanë se ka shanse nëse bën rreze dhe kimioterapinë. Por tani jam kaq i pafuqishëm dhe ajo më dhimbset sepse rri në shtrat e pret ndihmë. I bëj apel spitalit, ministrit, kryeministrit. Fundja fare të respektojnë ligjin, se për humanizëm këta qenkan të pashpirt”.
Burri largohet me dhimbjen që i pikon në zemër. Bashkëshortja mban sytë nga dera me shpresën se ai po i sjell ilaçin e munguar, që edhe mund ta mbajë në jetë dhe të rrisë fëmijë.