38-vjeçarja Olesia Duka ka treguar se ka qenë një hajdute profesioniste e sofistikuar. Ajo ka mundur t’u zhvasë biznesmenëve të ndryshëm në Tiranë dhe jo vetëm, shuma marramendëse parash, duke mos kryer asnjë transaksion bankar.
Deri më tani thuhet se e reja ka mundur të përfitojë me anë të mashtrimit plotë 2 milionë euro nga 6 biznesmenë, ku nga njëri prej tyre, Idlir Hoxha, i cili edhe ka bërë i pari denoncimin në polici, ka mundur të marrë plotë 900 mijë euro.
Por si mund t’i përvetësonte të gjitha këto shuma, pa përdorur asnjëherë bankën?
Idlir Hoxha ka konfirmuar se edhe pse bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, ai ka dorëzuar dorazi shumën e parave stomatologes nga Tirana. “Panorama” shkruan se Hoxha ia kishte futur në çantë paratë dhe më pas ia kishte dhënë.
Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe të paktën 5 biznesmenë të tjerë, që kanë depozituar denoncimet e tyre menjëherë pas arrestimit të Olesia Dukës.
Të gjithë të dëmtuarit kanë shmangur në mënyrë të dyshimtë veprimet bankare, duke preferuar që paratë t’ia dorëzonin dorazi, edhe pse bëhej fjalë për shuma mjaft të mëdha.