‘Në vendin tonë patriotizmi realizohet në rrjete sociale dhe jo duke protestuar, për patriotizëm virtual jemi populli më ‘patriot’ në botë’, kështu u shpreh Indrit Murati i ftuar në emisionin e mëngjesit të Ora News.
Indriti një nga administratorët e medias online Shqipëria Ime, foli për pseudopatriotizmin që mbizotëron në Shqipëri, ku politikanë dhe sportistë e përdorin flamurin vetëm që të nxisin njerëzit për ti mbështetur dhe kështu të marrin përfitime monetare.
‘Shqipëria Ime’ ka qënë iniciatore e shumë protestave të realizuara në Shqipëri dhe ka ngritur kauza pa qëllime përfitimi por vetëm në interesin e shqiptarëve. Murati u shpreh se njeh shumë sportistë shqiptarë të cilët e përdorin flamurin vetëm për interesa të tyre personale, deri në atë pikë sa do ishin të gatshëm të ngrinin dhe flamurin serb po t’iu siguronin të ardhurat e duhura.
‘Lorik Cana është një nga patriotët shqiptarë më të shquar, ai ka refuzuar shumë oferta dhe kurrë nuk ka pranuar të mbajë veshur asnjë ngjyrë tjetër përvec ngjyrave të flamurit. Po ashtu Ismail Morina (Ballisti) është patrioti shqiptar i madh i cili është i gatshëm të flijohet vetëm që mos të përfundojë kurrë në duart e serbëve.’- u shpreh Indrit Murati.
Ndërsa për njeriun e momentit i cili po përflitet këto ditë, Ermal Meta, që fitoi Sanremon në Itali, Murati tha:’Ermali nuk është mbështetur nga shqiptarët në hapat e parë të tij, dhe tani që ai fitoi dicka, ne papritur u bëmë krenarë për të dhe e ngritëm në piedestal, ai kurrë se ka mohuar origjinën, por nuk e ka përdorur atë për të përfituar.’/Shqiperia Ime