Zbardhet arsyeja se përse ish kryeministri Berisha sulmoi sot publikisht Artur Meçollarin si pjesë e grupit negociator për marrëveshejen e re të detit me Greqinë, duke e akuzuar si spiun. Në fakt në adresë të Meçollariot nuk ka pasur asnjëherë një akuzë si spiun i shërbimit sekret grek siç deklaroi Berisha. Ky i fundit nuk paraqiti asnjë fakt sado minimal për të argumentuar akuzat e tij se Artur Meçollari që shërben prej 28 vjetësh si oficer i Forcave Detare, në detyra operacionale, planifikimi dhe akademike, deri në detyrën e Zëvendëskomandantit të Forcës Detare / Rojës Bregdetare, ka qenë spiun. Thelbi i sulmit ndaj tij duket se ka tjetër gjë nga pas: është një hakmarrje e vonuar, pasi Meçollari i kërkoi publikisht në 2016 ish Prokurorit të Përgjithsdhëm Adriatik Llalla se nuk mund të mbyllte dosjen hetimore për shitjen e detit nga Berisha në favor të Greqisë, marrëveshje e cila cënoi rëndë integritetin territiorial të vendit.
Letra e plotë publike:
ARTUR MEÇOLLARI*
I Nderuar z. Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm Unë që po ju shkruaj jam një qytetar me profesion oficer detarie në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Po Ju drejtohem Juve, si drejtuesi i një institucioni të pavarur, të depolitizuar e kushtetues dhe kam bindjen se do ta merrni në konsideratë shqetësimin tim plotë- sisht të karakterit qytetar dhe profesional. Si qytetar, si një nga oficerët më të vjetër të Forcës Detare, në shërbim aktiv prej gati 28 vjet, si taksapagues dhe si ekspert në fushën e të drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare të detit, në përputhje me legjislacionin shqiptar për të drejtën e informimit, po Ju adresoj publikisht këtë letër.
Jam njohur nga media se institucioni Juaj ka pushuar çështjen e kallëzimit penal të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme ndaj Grupit Negociator për projekt-marrëveshjen detare me Greqinë të vitit 2009, e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, me argumentin ”për mungesë të elementëve të veprës penale”. Në një shtet të së drejtës, kur Prokuroria nuk gjen prova të mjaftueshme, është një procedurë normale mbyllja e një çështjeje penale. Por unë dua të theksoj se në këtë çështje ka pasur mungesë transparence nga institucioni që ju drejtoni, kur ndërkohë media raporton se çështja është mbyllur qysh në vitin 2016.
Mosinformimi i opinionit publik në kohë për mbylljen e hetimeve, nuk lë shije të mirë për shoqërinë tonë dhe kjo për më tepër kur çështja e projekt-marrëveshjes detare me Greqinë ka pasur dhe ka ende një sensibilitet të lartë publik, si dhe ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 15 mars 2010, që e shpall atë të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Interesi dhe debati publik i zhvilluar mbas vitit 2009, lidhur me projekt-marrëveshjen detare me Greqinë, nuk mund të injorohen.
Transparenca dhe informimi i opinionit publik janë mekanizma funksionalë për llogaridhënie në një shoqëri demokratike, por që në rastin e çështjes së marrëveshjes detare me Greqinë, nga ana e institucionit tuaj nuk ka funksionuar. Për t’Ju ardhur në ndihmë Ju dhe transparencës së institucionit që Ju drejtoni, nga këndvështrimi tërësisht profesional dhe interesi qytetar, duke vazhduar të kem besim tek institucioni i Prokurorisë, do të dëshiroja t’Ju drejtoja publikisht disa pyetje.
- A ka përgjegjësi ligjore Grupi Negociator për hyrjen në negociata dhe arritjen e një projekt-marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë, pa marrë më parë plotfuqinë e Kreut të Shtetit?
A ka përgjegjësi ligjore Grupi Negociator për negocimin dhe arritjen e një projektmarrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë, në kapërcim të kompetencave të deleguara nga Urdhri i Kryeministrit nr. 135, datë. 23.08.2007?
A ka pasur negociata midis palëve, siç parashikon Ligji Nr. 8371, datë 9.7.1998 ”Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”? Sa takime janë zhvilluar, cilat kanë qenë çështjet më të nxehta të negociuara dhe si janë të evidentuara?
Kush mban përgjegjësi për shfuqizimin në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi të Ligjit nr. 8771, datë 19.04.2001 ”Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, duke lënë Shqipërinë pa vijë të drejtë bazë dhe pa det territorial?
Kush nga institucionet e zbatimit të ligjit në det, Policia Kufitare dhe Migracionit, Forca Detare etj., ka propozuar shfuqizimin e ligjit nr. 8771, datë 19.04.2001 ”Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë” dhe si e ka argumentuar?
A ka pasur influenca nga ndonjë palë e huaj për shfuqizimin e Ligjit nr. 8771 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”?
Cili ka qenë roli i Shefit të PAMECA-s në vitin 2007 për shfuqizimin e Ligjit nr. 8771, datë 19.04.2001 ”Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë” dhe nëse ka pasur, a ka qenë ky rol në konflikt interesi për shkak të kombësisë së tij?
A ka negociuar dhe arritur Grupi Negociator një projekt-marrëveshje për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë me harta detare, siç e parashikon neni 15 i UNCLOS 1982, apo me skema të servirura nga pala greke?
A ka negociuar Grupi Negociator vijën delimituese të detit territorial duke marrë në konsideratë ”rrethanat të tjera të veçanta”, parashikuar nga neni 15 i UNCLOS 1982, specifikisht lidhur me Shkëmbin e Pleshtit (Barcheta Rock) dhe Shkëmbinjtë Sepra?
A ka negociuar Grupi Negociator vijën delimituese të shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive sipas ”një zgjidhjeje të barabartë”, parashikuar nga neni 74 dhe 83 i UNCLOS 1982?
Si e kanë shpjeguar anëtarët e Grupit Negociator faktin që titulli i marrëveshjes shprehet kryesisht për delimitimin e shelfit kontinental, kur në fakt 77,4% e vijës delimituese të projekt-marrëveshjes detare me Greqinë i përket delimitimit të deteve territoriale të dy shteteve?
Si e kanë shpjeguar anëtarët e Grupit Negociator që titulli i marrëveshjes shprehet “hapësirat e tjera detare”, duke përfshirë në këtë term ”detin territorial” dhe ”zonën ekonomike ekskluzive”, fakt i evidentuar edhe nga Vendimi i GJK?
A ka qenë në dijeni Grupi Negociator që në marrëveshjen midis Italisë dhe Greqisë të vitit 1977 për delimitimin e shelfit kontinental, ajo pjesë e vijës delimituese e ndikuar nga Ishulli i Othonoit, nuk është një vijë me distanca të barabarta, por sipas ”një zgjidhjeje të barabartë”?
Si e ka argumentuar Grupi Negociator përmbajtjen e Nenit 2, për të cilin Vendimi i GJK nr. 15, datë 15.3.2010, shprehet se “Gjykata vëren gjithashtu se neni 2 i marrëveshjes objekt shqyrtimi shfaq probleme kushtetuese”?
A ka përgjegjësi ligjore Grupi Negociator për mbylljen me vijë të drejtë bazë të Gjirit të Korfuzit, kur Greqia nuk e ka të shpallur me ligj mbylljen me vijë të drejtë bazë të këtij gjiri?
Përse Grupi Negociator ka ndërtuar një sistem të vijës së drejtë bazë për të dy shtetet në projekt-marrëveshje, të ndryshme nga ajo e parashikuar nga legjislacionet kombëtare të të dy shteteve?
A ka pasur Grupi Negociator udhëzim që të mbajë të fshehtë ndaj palës amerikane ose ndonjë pale tjetër, faktin që po bëheshin negociata për delimitimin e hapësirave detare? Nëse po, cila ka qenë arsyeja?
Si e ka argumentuar Kryetari i Grupit Negociator faktin që në draftin përfundimtar të projekt-marrëveshjes, anëtari i Grupit Negociator, caktuar me Urdhrin e Kryeministrit nr. 135, datë 23.08.2007, Kapiteni i Rangut të Parë (R) Bektash Petoshati, në atë kohë zëvendëskomandant i Forcës Detare, nuk ka firmosur?
A ka pasur Prokuroria ekspertizën e mjaftueshme mbi të drejtën ndërkombëtare publike dhe atë të detit në veçanti?
A ka pyetur Prokuroria, në cilësinë e personave në dijeni ekspertë të fushës, veçanërisht Kolonel Myslym Pashaj, si dhe zërat publikë, si Tedi Blushi, Ksenofon Krisafi, Vladimir Beja, Lisjen Bashkurti, Armando Vinçani, Pëllumb Xhufi, Artan Hoxha, Agron Alibali, Viola Trebicka, Besnik Bakiu, Qazim Lilaj etj.?
A ka pyetur Prokuroria ekspertët e firmës amerikane “Deëey & LeBoeuf LLP”, e cila në vitin 2011, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka bërë një vlerësim të projekt-marrëveshjes detare me Greqinë?
A jeni në dijeni se në vitin 2011, Ministria e Punëve të Jashtme ka ngritur një grup pune për rivlerësimin e projekt-marrëveshjes detare me Greqinë, dhe nëse po, cilat kanë qenë konkluzionet e tij?
A jeni në dijeni se në vitin 2009, Komanda e Forcës së Bashkuar i ka dërguar një material studimor Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me projekt-marrëveshjen detare me Greqinë dhe nëse po, cilat kanë qenë konkluzionet e saj?
A jeni në dijeni se në vitin 2009, Ministria e Mbrojtjes ka ngritur një grup pune me ekspertë detarë të edukuar në SHBA për të vlerësuar projekt-marrëveshjen detare me Greqinë dhe nëse po, cilat kanë qenë konkluzionet e tij?
A përmban për Prokurorinë e Përgjithshme Vendimi i GJK nr. 15, datë 15.3.2010, i cili mbas një argumentimi me 35 faqe, shprehet “Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, elementë të mjaftueshëm të veprës penale?
A mendoni se lidhur me çështjen e projekt-marrëveshjes detare me Greqinë, institucioni që Ju drejtoni ka bërë një hetim të plotë, profesional, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës? Me respekt dhe në pritje të përgjigjes Suaj Kapiten i Rangut të Parë Artur Meçollari Kabul, Afganistan
*Artur Meçollari shërben prej 28 vjetësh si oficer i Forcave Detare, në detyra operacionale, planifikimi dhe akademike, deri në detyrën e Zëvendëskomandantit të Forcës Detare / Rojës Bregdetare