Loading...

Supe krem me bizele : Shije e lehte plot shendet

Bizelet janë ndër perimet e para që njeriu ka kultivuar në tokë. Kjo besohet të ketë ndodhur mijëra vite më parë.

Asokohe, njerëzit i konsumonin bizelet të thata, deri sa arritën në konkluzionin se kokrrat e gjelbra mund të haheshin edhe të freskëta.

Jo më kot, bizelet konsiderohen si një prej ushqimeve më të shëndetshme në botë. Recetat për gatimin e bizeleve janë të larmishme.

Një prej këtyre recetave është ajo e supës kremoze e cila është ideale për këtë stinë gripi dhe virozash.

Përgatitja e Supës Krem me Bizele

Përbërësit

Një lugë gjelle me vaj ulliri

Një qepë të madhe të grirë hollë

2 filxhanë me lëng pule ose perimesh pa kripë

Gjysëm luge çaji me kripë

Piper të Zi

300 gramë bizele

4 lugë çaji me kos

1 patate mesatare

Përgatitja

Merrni një tenxhere të madhe dhe vendoseni në zjarr. Shtoni vajin e ullirit dhe më pas qepët.

Kavërdisini në zjarr mesatar për pesë minuta. Shtoni patatet, lëngun e pulës ose të perimeve, kripën dhe piperin.

Lërini të ziejnë deri sa patatet të jenë zbutur tërësisht. Më pas shtoni bizelet dhe lërini të ziejnë për 5-7 minuta.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak. Më pas transferojeni supën në një mikser.

Nëse keni mikser të madh mund ta përpunoni në një herë të vetme. Nëse mikseri është i vogël, përpunimin mund ta bëni në dy herë.

Pasi supa të jetë bërë tërësisht kremoze, hidheni sërish në tenxhere. Lëreni të marrë një valë dhe shtoni kosin.

Patatja dhe kosi i japin supës trashësinë e duhur. Sipas preferencës mund të shtoni sërish pak piper, majdanoz dhe lëng limoni.

Nëse bizelet zihen së bashku me qepën dhe kanellën, mund të transformohen në një shije edhe më të veçantë.

Vlerat Ushqyese Të Bizeleve 

Bizelet janë një burim i shkëlqyer i vitaminës K, manganit, fibrës dietike, vitaminës B1, bakrit, vitaminës C, fosforit dhe folatit.

Kokrrat e gjelbra përmbajnë gjithashtu vitaminë B6, niacinë, vitaminë B2, zink, proteinë, magnez, hekur dhe kalium.

Bizelet e ushqejnë sistemin imunitar me vitamina.

Një filxhan me bizele të njoma përmban 58 miligramë vitaminë C, duke plotësuar 65% të dozës ditore të nevojshme për meshkujt dhe 77 përqind për femrat.

Kjo do të thotë se një racion me bizele përmban të njëjtën sasi të vitaminës C që merren tek dy mollë dhe më shumë fibër se një fetë buke integrale.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com