Ish-Komandanti i Forcave Detare, që ka udhëhequr negociatat e ndarjes së kufirit detar me palën italiane, Vladimir Beja, tregoi se si Shqipëria u tërhoq nga shtrirja 15 milje në vitin 1990.
Beja tha se Shqipëria ishte shtrirë 15 milje, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në periudhën kur ishte anëtare e Traktatit të Varshavës.
Por, në fund të viteve ’80, vendi ynë mori një ultimatum.
Ai tregoi në “Të paekspozuarit:
Në 1975 qeveria shqiptare vendos t’i shtrijë ujërat në 15 milje në kundërshtim të plotë me çdo shtet. Ka qenë akt paradoksal. Ky ligj u kthye mbrapsht, por Shqipëria vazhdonte me 15 milje, deri në vitin 1989 kur erdhi nota amerikane.
E kam pasur mbi tavolinë kopjen e notës së qeverisë amerikane nëpërmjet ambasadës franceze, ku thoshte në mënyrë ultimative; tërheqja nga 15 milje në 12 milje.
Morëm një ultimatum nga SHBA që të tërhiqemi në 12 milje në atë kohë dhe në vitin 1990, qeveria e asaj kohe u tërhoq në 12 milje”.
Beja kujton dy momente nga negociatat me italianët.
Ai deklaron:
Së pari ishte tërheqja nga 15 miljet dhe pranimi i vijës bazë dhe së dyti ishte statusi i ishullit të Sazanit. Italianët pretendonin se ishte i pabanuar.
Kjo ka qenë një fazë e vështirë e negociatave dhe them sot se nëse ne do të pranonim propozimin e italianëve për Sazanin, do të humbnim 100 milje det”.