Loading...

Për të fituar nga vdekjet, punonjësi i Morgut të Fierit hap agjenci funerale

“Fiks Fare” ka denoncuar mbrëmjen e kësaj të enjteje skandalin e radhës për abuzimet e stafit mjekësor, ku një punonjës morgu në Fier ka hapur një agjenci funerale, me qëllim për të favorizuar biznesin e tij në raste vdekjesh.

Pas skandalit në Spitalin e Sarandës, qytetarët e Fierit u ankuan në “Fiks Fare” se punonjësi i Mjekësisë Ligjore, Mariglen Saliaj ka hapur një agjenci funerale afër Urgjencës së Spitalit, duke shtuar rastet e abuzimeve që kryhen nga stafi mjekësor.

Për të vërtetuar shkeljet, qytetarët dërguan dhe një video në “Fiks Fare”, ku punonjësit e agjencisë funerale të punonjësit të morgut, Mariglen Saliaj, vihen re duke nxjerrë një pacient nga ambulanca në Urgjencën e Spitalit të Fierit, edhe pse prania e mjeteve dhe personave të agjencive funerale në ambientet e spitaleve është e ndaluar me udhëzim të ministrit të Shëndetësisë, që në korrik të vitit 2015.

Sipas videos, punonjësi i agjencisë funerale shoqëron pacientin nga ambulanca deri brenda në Urgjencë, në prani të mjekëve, familjarëve dhe rojeve private, e askush nuk i tërheq vëmendjen.

Për të vërtetuar nëse personi që denoncohet me video nga qytetarët është punonjës i agjencisë funerale në pronësi të Saliajt, “Fiks Fare” dërgoi bashkëpunëtorët në Fier, ku arriti të filmojë të njëjtin person brenda ambienteve të zyrës funerale, teksa u shërbente klientëve si punonjës i kësaj agjencie.

Për këtë konstatim, “Fiks Fare” pyeti edhe drejtoreshën e Spitalit të Fierit, Nevila Shuke, e cila tha se ka marrë ankesa për punonjësin Mariglen Saliaj, i cili është me funksion pranë Mjekësisë Ligjore. Sipas saj, me juristin e drejtorisë kanë bërë verifikimet dhe ka rezultuar se ai ka të regjistruar në QKR një agjenci funeralesh. Për këtë arsye kanë nisur menjëherë procedurat për shkarkimin e tij dhe brenda një kohe të shkurtër do të largohet nga detyra.

 

“Fiks Fare” siguroi edhe dokumentet përkatëse për këtë rast. Nga informacionet zyrtare rezulton se, Mariglen Saliaj është emëruar me detyrë projektor në Laboratorin Anatomo-Patologjik panë Spitalit Rajonal Fier, që në vitin 2016.

Ndërsa nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se ai është administrator dhe pronar i 3 subjekteve me aktivitet në fushën e shërbimeve funerale. Një prej këtyre subjekteve është edhe “Genti & KE”, që ndodhet pranë spitalit. Megjithatë, një prej këtyre bizneseve është i çregjistruar dhe dy të tjerët janë të pezulluar. Deri në këtë pikë, gjithçka duket e rregullt.

Por, procedurat për shkarkimin e tij për konflikt interesi kanë nisur pikërisht më 27 dhjetor 2017 dhe një prej bizneseve, që tashmë janë pezulluar, në atë datë ka qenë aktiv. Pezullimi i këtij biznesi, sipas QKB-së është bërë më 29 dhjetor 2017, bazuar në kërkesën e bërë nga Mariglen Saliaj, më 28 dhjetor 2017.

Pra, veprimet janë kryer pas datës 27 dhjetor, kur kishin nisur procedurat për shkarkimin e tij për konflikt interesi. “Fiks Fare” vërtetoi se, veç këtij biznesi, që është pezulluar në fund të dhjetorit, edhe subjekti tjetër i Gentian Saliajt, pikërisht “Genti & KE” vijon aktivitetin, pavarësisht se rezulton i pezulluar që më 4 janar 2012. Pra, punonjësi Mariglen Saliaj, me funksion pranë Mjekësisë Ligjore, njëkohësisht është përfshirë edhe në biznesin e agjencive funerale, por për 6 vite rezulton se kompania e tij vijon punën në të zezë, pavarësisht se që prej vitit 2012 ka pezulluar aktivitetin pranë autoriteteve shqiptare.

Still0222_00043

Still0222_00042

Still0222_00041

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com