SHBA gati për hetimin e çdo zyrtari të korruptuar ne Shqiperi, qoftë ky edhe ish-prokurori i përgjithshëm.
Vizion Plus ju drejtua selisë diplomatike amerikane në Tiranë, nëse ka mbërritur ndonjë kërkesë nga organi i akuzës për informacionet mbi të cilat flet Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me Adriatik Llallën. David Muniz, i ngarkuari me punë i ambasadës dha këtë përgjigje:
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është gati të bashkëpunojë me çdo hetim të zyrtarëve të lartë të korruptuar“.
Kjo tregon edhe njëherë vendosmërinë e Uashingtonit për të luftuar korrupsionin, e mbi të gjitha rastet ku janë të përfshirë “peshqit e mëdhenj”.
Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli pak ditë me parë si person të padëshiruar Adriatik Llallën dhe familjarët e tij, duke i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky vendim i firmosur nga Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, erdhi pas informacioneve të mbledhura, sipas të cilave Llalla ishte i përfshirë në korrupsion gjate kohës që ushtronte detyrën e Prokurorit te Përgjithshëm.