Loading...

U detyrua të lëjë burrin dhe fëmijët për të punuar në Gjermani, infermierja nga Hasi rrëfen jetën si emigrante

Të rinjtë shqiptarë që emigrojnë në vendet e perëndimit, për shkak të kushteve të vështira ekonomike këtu, janë të shumtë.
Një mundësi e mirë është edhe ajo për infermierë të rinj në Gjermani. Mijëra të rinj largohen çdo vit me shpresën se do të sigurojnë të ardhurat për t’u rikthyer këtu e për të përballuar jetesën. Një prej tyre është edhe Antigona Mazrreku nga qyteti i Hasit.

Ajo ka lënë bashkëshortin dhe fëmijët në këtë qytet të vogël dhe është nisur e vetme për në Frankfurt të Gjermanisë.

Ajo ka rrëfyer për GSH se ishte paga e pamjaftueshme ajo që e detyroi të emigrojë pa familjen për në shtetin gjerman.

Nëna e dy fëmijëve e cila jeton në një dhomë të vogël në vendin e huaj ka treguar:

Unë jam 28 vjeç dhe në vitin 2009-2012 kam ndjekur studimet për degën Infermieri e Përgjithshme në Fakultetin e Infermierisë së Përgjithshme, filiali i Kukësit, pjesë e Universitetit të Tiranës. Kam arritur të ushtroj profesionin tim si infermiere për 4 vite në poliklinikën e Hasit ku mbuloja sektorin e Check-up-it. Por pavarësisht punës së palodhur si infermiere, paga ime ishte shumë e ulët, vetëm 325 mijë lekë të vjetra në muaj.
Unë jetoja me bashkëshortin, prindërit e tij, si dhe me dy fëmijët e mi e fatmirësisht shtëpia është e jona, por shpenzimet e tjera ishte shumë e vështirë që t’i mbuloja në një kohë që im shoq ishte i papunë. Kështu që e gjithë kjo situatë e vështirë më bëri që të lija familjen time dhe të merrja vendimin për të shkuar në Gjermani e për të provuar fatin aty.”

Përsa i përket mënyrave se si Antigona ka ikur, 28-vjeçarja ka treguar:

Në internet shpeshherë kontrolloja në faqe të ndryshme që ofronin punësim për infermierë në Gjermani. Pasi aplikova, nuk vonoi shumë përgjigjja dhe më kërkuan skanimin e diplomës, listën e notave, licencën e ushtrimit të profesionit si dhe plan programin e shkollës.Unë në Tiranë kisha bërë disa kurse gjermanishteje e kisha arritur ta mbroja në nivelin B1. Vlen të theksoj faktin që gjuha këtu në Gjermani nuk është kusht i domosdoshëm pasi mund të përzgjidhesh e pranohesh edhe në rastin kur nuk e di fare gjermanishten. Shpenzimet në total kanë arritur shifrën 600 euro dhe në 27 janar 2018, pas aprovimit të ambasadës gjermane, u nisa sërish ku arrita së pari në Shtutgart e qëndrova për 2 ditë te disa të afërmit e mi, ndërsa në 29 janar të këtij viti kam qenë në Frankfurt, qyteti në të cilin edhe punoj. Prej një muaji punoj si ndihmës infermiere në Frankfurt, 8 orë në ditë me turne, dhe paga këtu është 1800 euro në muaj. Ndërkaq, punëdhënësi më siguron një dhomë e një banjo, ku përfshihet edhe ushqimi e në total të gjitha shkojnë 500 euro, të cilat në fund zbriten nga paga mujore. Ndërkohë 309 euro në muaj i mbajnë për njehsimin e diplomës, e pasi të përfundojë njehsimi brenda 5-6 muajsh, mund të punoj ku të dëshiroj si infermiere. Nëpërmjet kësaj agjencie, të jepet mundësia që të zgjedhësh qytetin ku dëshiron të jetosh apo punosh. Lodhem shumë e qëndroj 8 orë në këmbë, por jam shumë e kënaqur me punën, dhe me kushtet që më ofron ky shtet.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com