Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, duke folur në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ka paralajmëruar se do të ketë të tjera arrestime lidhur me abuzimet me tjetërsimin e tokave.
Duke iu referuar arrestimeve të bërë ditën e sotme nga policia, Lamallari tha se janë zbuluar shumë skema të përfitimeve të tokave në mënyrë abuzive, duke falsifikuar dokumente.
“Ka një paligjshmëri dhe të gjithë personat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme me dijeni. Sepse ka pasur dhe raste kur banorët nuk kanë qenë në dijeni. Madje edhe në kundërshtim edhe me ligjin 7501, ka pasur persona që kanë përfituar tokë nga ndarja e komisioneve fiktive dhe nuk kanë qenë persona që kanë jetuar në këtë zonë” , tha Lamallari.
Zv.ministri ka shpjeguar se më shumë abuzimet kanë ndodhur në ranishte, zona bregdetare, si dhe toka bujqësore.
“Mund të them vetëm mekanizmin që është konstatuar. Janë bërë akte fiktive, shitblerje fiktive, blerësi më pas ka kërkuar njohjen si pronar dhe regjistrimin në hipotekë. I gjithë mekanizmi që është bërë është se ka një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, tha zv/ministri i Brendshëm.