Kryeministri Edi Rama ka folur për një politikë të jashtme të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Duke mbajtur fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku u mbajt një seancë solemne për 10-vjetorin e Pavarësisë.
Kryeministri foli për një president simbol të përbashkët të të dy vendeve në të ardhmen.
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet“, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare foli ndër të tjera edhe për përmirësimin e unifikimit të arsimit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe për lehtësimin e procedurave doganore në kufi, shkëmbimet tregtare dhe turizmin.
Në këtë seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, ishin të pranishëm edhe Presidenti shqiptar Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe ish-Kryeministri Sali Berisha.