Loading...

Konsultat për Greqinë, valle presidenciale në “gojën e ujkut”

Më lejoni të huazoj një sllogan nga ata të kohës së xhaxhit, për të përshkruar “maskaradën” në të cilën është përfshirë institucioni më i lartë në vend, Presidenti i Republikës.

Ditën e sotme, mësuam se Ilir Meta paska vendosur që të konsultohet me paraardhësit e tij, Sali Berisha dhe Bujar Nishani, në lidhje me qëndrimin që do të mbajë mbi negociatat në vazhdim midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Lëmë mënjanë faktin se paraardhës të nxjerrë nga lista e konsultimeve janë edhe Alfred Moisiu, Rexhep Mejdani dhe Bamir Topi, të cilët gjithashtu mund të kenë mendime të vyera.

Por, të pyesësh Sali Berishën mbi çështjen e detit është njësoj si t’i kërkosh një vrasësi të shkojë në vendin e krimit. Një valle e shëmtuar presidenciale “në gojën e ujkut”, atij ujku që kur ishte në pushtet, me vullnet të plotë shqeu kufijtë e detit, të cilët i ofroi në pjatancë të artë në altarin helen.

Mënyra se si ka nisur ky konsultim presidencial mbi detin është një ogur i keq për të ardhmen e negociatave, të cilat paragjykohen që në fillim.

Kushtetuta, në fakt në asnjë rast nuk e përjashton Presidentin nga qënia pjesë e negociatave të tilla, ndaj ky spektakël selektiv mund të bëhet vetëm për një qëllim të vetën, një shou mediatiko-politik për të damkosur përpjekjet e qeverisë që në gjenezë.

Thënë këtë, ajo që dimë ne sot për marrëveshjen është ende e vakët. Në Greqi, mediat greke denoncojnë qeverinë e tyre sepse marrëveshja që po ngjizet për ta është shumë më pak e favorshme se ajo e 2009-s.

Grekët klithin se zonat naftëmbajtëse Jon 1 dhe 2 po i kalojnë Shqipërisë, se kufiri verior rreth ishujve Othonoi dhe Mathraki po shtyhet nga një far që ata kishin sajur në veri, për t’u vënë si ledh ndarës mes ishujve dhe shelfit tonë kontinental. E gjithashtu parimi i barazlargësisë dhe delimitimi i ujrave pranë ngushticës së Korfuzit duket se po ndodhin jo ashtu siç grekët e kishin imagjinuar.

Megjithatë, ndonëse ende marrëveshja nuk ka marrë formë zyrtare, kreu i shtetit ka vendosur të konsultohet sot me dy paraardhës, të vetmit prej të cilëve e kanë mbështetur marrëveshjen e turpshme të 2009-s, në të cilën Shqipëria falte gjithçka, për të marrë mbrapsht, më falni për eksplicititetin, një mut!

Një shprehje thotë se rrugët e Ferrit janë të shtruara me kalldrëmin e qëllimeve të mira. Një konsultim mbi Detin në vetvete do të ishte diçka e mirë, por në këtë formë, “maskarada” e sotme presidenciale i shërben vetëm interesave politikë të momentit, e asgjëje më shumë se kaq.

Njeriu që pak javë më parë i dorëzoi nënshtetësinë Janullatosit prej kohësh ka mbështetur një përmirësim të marrëdhënieve me Greqinë, duke qenë i vetmi politikan i lartë shqiptar që ka vizituar Athinën zyrtarisht gjatë viteve të fundit, siç ishte vizita e tij në funksionin e kryetarit të Kuvendit në tetor 2016.

Megjithatë, mesa duket, kur marrëdhëniet më të mira vendosen në peshore ndaj oportunizmit politik, është kjo e dyta që triumfon.

Ilir Meta, edhe një herë më shumë po e tregon veten sot një “kafshë politike”, pa dyshim me instikte të admirueshme, por aspak një figurë që përfaqëson kombin e aq më pak, unitetin e tij.

Për ata që kanë kujtesë të dobët, e njëjta ndodhi edhe kur bashkëshorti i “tredhur” nga funksionet në LSI denoncoi një vit më parë Deklaratën e Tiranës që bëri bashkë liderat e Maqedonisë, për herë të parë në histori, rreth një qëllimi të përbashkët mbarë-kombëtar.

Ndaj, takimi i sotëm është vetëm një estradë. Një estradë, ku për fat të keq, edhe një herë më shumë, dy prej figurave më të rëndësishme politike të tranziconit, plus një i tretë i ftuar sa për numër (Nishani), bien dakord për të sakrifikuar interesat kombëtarë për hir të interesit të ngushtë personal.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com