Projektligji i ri për artin dhe zhvendosja e Teatrit Kombëtar kanë shkaktuar reagime të ashpra të artistëve më të mëdhenj në vend. Në takimin e zhvilluar sot, shoqata e artistëve kanë kërkuar nga ministria e Kulturës që të ulet në bisedime për të gjetur zgjidhje bashkë me artistët.
Ndërkohë që aktorët të njohur të skenës shqiptare e kanë cilësuar situatën si alarmante dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente. Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu ka shpërthyer në akuza ndaj Ministrisë dhe politikës, të cilat e kanë lënë artin dhe artistët në mëshirë të fatit. Ai tha se artistët paguhen më pak se një nëpunës i rëndomtë i institucioneve.
“Artisti më i mirë merr një rrogë sa nëpunësja më e ulët e shtetit. Zoti i paftë ata që vjedhin. Nga jeta ikën artistët më të njohur dhe askush nuk e çau trapin për ta. Bujar Lako jetonte në një dhomë 50 metra katror dhe askush nuk u kujtua për ta. Ndonjëherë them pse të flas, për çfarë të flas?! Mendojnë sesa do fitojnë dhe me kë do e bëjnë qejfin dhe jo për ne”, u shpreh Asqeriu.
VIDEO/SHPERTHIMI I BUJAR ASQERIUT: KJO ESHTE DRAMA E KETIJ KOMBI
Regjisori Altin Basha ka ftuar ministren Mirela Kumbaro që ditën e mërkurë në orën 16:00 të vijë në godinën e Teatrit Kombëtar për dialog me artistët. “Jemi gati për dialog. Ditën e mërkurën në 16:00 me kushtet dhe stafin që do ministrja e presim në këtë sallë dhe jo të jetë e mbyllur. Deri tani nuk kemi pasur transparencë. Ministren do ta presim këtu dhe jo në sallë, dhe deri atë ditë shpresojmë që të ketë gjetur çelësin e sallës që është mbyllur. Artistët nuk mund të jenë të përjashtuar nga projektligji”,- deklaroi ai.
Konflikti mes Ministrisë dhe artistëve ka lindur pas prezantimit të ligjit të ri për artin. Ligji i jep më shumë kompetenca qeverisë në kontrollin e fondeve për institucionet shtetërore artistike dhe u dikton me borde edhe politikën e shfaqjeve në Teatër. Paralelisht me ligjin, Ministria e Kulturës ka marrë një vendim që largon artistët nga ambientet e Teatrit Kombëtar në një objekt tjetër. Sipas ministrisë, në zonën e Teatrit do të ndërtohet një kullë shumëkatëshe, me teatër brenda saj. Pra teatri në një qendër biznesi! Dhe ku do hyjnë në një derë të madhe aktorë e artdashës bashkë me pazarxhi rrobash apo ushqimesh.
Sipas artistëve të gjitha këto vendime janë marrë pa u konsultuar me shoqatat e tyre. Shqetësimeve të artistëve, ministrja Kumbaro u ktheu përgjigje të dielën, në një mënyrë që duhet se i ka acaruar dhe më tepër. Ndërsa artistët si Robert Ndenika, Bujar Asqeriu dhe të tjerë kërkojnë zgjidhje të problemeve dhe trajtimin me dinjitet të artistëve, Ministrja thotë ishin artistët ata që e kthyen teatrin në lokal bingoje dhe lojërash fatit. “Por unë mendoj gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert”, thotë Mirela Kumbaro, në një shkrim publikuar të dielën.
Debati për artin shkon përtej një qeverie dhe një ministrie. Janë të shumta mëkatet e institucioneve që e kanë trajtuar artin si plaçkë politike dhe e kanë përdorur për fushata elektorale. Por nëse teatri dikur është kthyer në bingo, për këtë nuk mund t’i kërkohet llogari Robert Ndrenikës dhe as aktorëve të tjerë. Ministrja thotë se është faji i artistëve që teatri u kthye në bingo, por në fakt rezulton se vendimi për lojërat e fatit është marrë nga ish-ministri i Kulturës, Edi Rama, sot kryeministri i znj. Kumbaro.
Ministrja e kulturës bën mirë të ulet e të bisedojë me artistët për gjetjen e një zgjidhje të bashkëpranuar, aq me tepër se edhe kryeministrin e ka njeri të artit. Vendimi i vitit 1999. Ministri i Kulturës, Edi Rama jep ambientet e Teatrit Kombëtar për bingo dhe lojëra fati
Ndrenika i përgjigjet Kumbaros: Letra jote e pa sinqertë
Ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro i shkroi një letër të hapur aktorit Robert Ndrenika pas deklaratave që ai lëshoi kundrejt saj për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar.
Ndërkohë, Ndrenika i ka kthyer sërish përgjigje sot ministres Kumbaro me anë të një letre të publikuar në gazetën Panorama. Ndrenika shprehet në letër se përveç fjalisë së parë ku është dakord me Kumbaron, pjesa tjetër i është dukur jo e sinqertë dhe me kunja. Ai shprehet se nuk i heq asnjë presje asaj që ka thënë më herët.
Letra e Robert Ndrenikës:
E dashur Mirela!
Lexova me vëmendje letrën tënde. Përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta.
Përsa më përket mua, përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë.
Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e tu në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira.
Përsa i përket ndërtimit të sallave te “Piramida” dhe “Turbina” e kishit ju për detyrë të kishit bërë dhe të bënit transparencën.
“Transparencë” që edhe sot e kësaj dite ne po e kërkojmë. Vazhdimin e bisedës do ta bëjmë në sallën e Teatrit Kombëtar.
Me respekt
Roberti