Ilia Hametaj tregon në emisionin “Stop” se më 24 Korrik 2017 ka qenë duke u zhytur në Orikum, ndërsa është lënduar nga një shpërthim me dinamit, nga një mjet lundrues që peshkonte.
Dy personat në gomone e kanë nxjerrë në breg dhe e kanë lënë aty pa ndihmë mjekësore. Të tjerë qytetarë të rastësishëm e kanë çuar Ilian në Qendrën Shëndetësore të Orikumit, ku ka marrë ndihmën e parë nga mjeku Enrik Haxhiraj, për vështirësi në frymëmarrje dhe hemoragji nga veshi.
Pas kësaj traume, Ilia ka bërë kallëzim në prokurorinë e Vlorës, duke pretenduar se i njeh autorët e shpërthimit me dinamit.
Por prej 7 muajsh prokuroria jo vetëm nuk ka bërë asnjë veprim, por as nuk ka dhënë informacion për rastin.
Emisionin “Stop” kërkoi shpjegim për këtë zvarritje të procesit, por prokurorja Eranda Lazaj nuk flet për çështjet në hetim.
Habia është se pas gjumit 7-mujor, zonja Lazaj u zgjua të nesërmen dhe thirri kallëzuesin për të identifikuar autorët e ngjarjes.
Në datë 24 Korrik unë kam qenë me djalin që nga ora 09:00 në zhytje. Djali rrinte lartë, unë isha zhytyr poshtë. Në momentin që kam qenë poshtë kam parë që erdhi një mjet dhe tentova të ngjitesha lartë. Dëgjova një zhurmë të vogël, ktheva kokën e pashë që ishte dinamit. Procesi i parë që bëra ishte të kthehesha dhe të mblidhesha.
Në atë moment pëlciti kapsolla aty, u mblodha dhe kapa fortë rogatorin. Pas asaj plasi komplet dinamiti. U paralizova, nuk pashë më asgjë! Tentova të ngrihesha, por nuk ngrihesha dot. Mezi kam hequr bomblën nga trupi, pastaj u ngrita lartë.
Pashë dy persona që ishin në gomone lart, njërin nga ata e njoha direkt. Ata ishin personat që hodhën dinamitin se aty nuk kishte njeri. Lart ishte djali im, po e shikoja se nuk dëgjoja nga veshi, po e shikoja që bënte me shenjë dhe bërtiste. Pashë dy personat, ia bëra me dorë, nuk veproi në moment, u hutuan.
Më hodhi dorën, më kapi në gomone, nuk ngrihesha dot se nuk kisha fuqi. Më kanë hedhur mbi gomone, më morën, më çuan në anë e më lanë atje. Vuri maskën për të mos e njohur, por unë e njihja edhe më përpara. Më lanë në zhavorr, kur djali po bërtiste.
Mezi kam hequr kostumin, jam ngjitur lartë dhe më kanë ndihmuar dy persona që kam ardhur në ambulancën e Orikumit.”
Gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me Enrik Haxhirajn, mjeku që i dha ndihmën e parë Ilias, i cili tha se ky i fundit kishte mbërritur në ambulancën e Orikumit në gjendje të rëndë.
Personi është shtruar një herë tek ne. Ka qenë në gjendje koshiente, por kishte dhimbje dhe vështirësi të shumta në frymëmarrje. Gjendja ishte jo shumë e mirë, pasi nga njëri vesh kishte hemorragji. Kemi vepruar duke bërë ambulatorin për të lehtësuar frymëmarrjen dhe me ambulancë është transportuar për në Spitalin Rajonal të Vlorës”.
Denoncuesi rrëfen se e kallëzoi çështjen në prokurori dhe pas 3 muajsh u takua me personat që kanë hedhur dinamitin, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Gazetari i emisionit “Stop” iu drejtua Prokurorisë së Vlorës për të komunikuar me prokuroren e çështjes.
Gazetari – Kërkojmë një çik këtë prokuroren Eranda Laze.
Roja i Prokurorisë – Ja, ta marr në telefon. Kush e kërkon?
Gazetari – Olsi Çala, “Stop”, Klan.
Roja i Prokurorisë – Se tha ”Për ça më do?” Të bëjë një shkresë ai se për ça më do dhe ta bjerë lart. Do bësh një shkresë me shkrim …
Gazetari – Për sa i shkon shkresa asaj? I shkon tani sa ta dorëzoj?
Roja i Prokurorisë – Do vejë … do ta çojmë, po. Ti do kërkosh të futesh si person?
Gazetari – Unë, si person.
Roja i Prokurorisë – Nuk jep intervista për çështje, që janë…është në hetim.
Gazetari – Çështja?
Roja i Prokurorisë – Po!
Gazetari – Po këtij zotërisë do i kthejë një përgjigje? Se i ka çuar një shkresë që në Dhjetor?
Roja i Prokurorisë – Është në hetim.
Ilia Hametaj tregon se pas interesimit të emisionit “Stop” pranë Prokurorisë Vlorë, e ka telefonuar prokurorja e çështjes, Eranda Laze dhe i ka thënë që të shkonte të nesërmen, pasi do të bëhej identifikimi i personave.
Pas ballafaqimit në prokurori, denoncuesi tregoi se çfarë kishte ndodhur.
Ilia Hametaj – Na morën në pyetje, vajta atje, u përgjigja, i thashë është filan person…
Gazetari – Prokurorja bëri ballafaqim midis teje dhe personit?
Ilia Hametaj- Po, bëri ballafaqim midis meje dhe personit. Më thërritën dhe djalin, njofën atë personin tjetër, se unë s’mund të fusja njeri tjetër për tjetër, që është ky apo s’është ky? I thashë, është ky! Edhe djali e identifikoi atë person direkt, tha djali: “Ky është filan person”, për të dytin.
Gazetari – Djali bëri ballafaqimin se ishte dëshmitar aty. Si është procedura? Do të vazhdojë hetimi?
Ilia Hametaj – Po, hetimi po vazhdon tani.
Pra, çuditërisht pas interesimit të emisionit “Stop”, prokurorja u kujtua të vijojë çështjen pas 7 muajsh që ishte lënë pezull./ tvklan. al