“Ura e Bratit është një urë e tipit venecian dhe është ndërtuar nga specialistë të Republikës së Venedikut, që ishte mjaft e pranishme në vendin tonë”. Ajo është ndërtuar në përputhje të plotë me karakteristikat natyrore, me ato të lumit, çka pasqyrohet tek lartësia e saj mbi nivelin e pasqyrës së ujit, tek elementët arkitekturorë për të përballuar plotësisht vërshimet e Shushicës, një nga lumenjtë më të rrëmbyer të jugut të vendit. Por, veç kësaj, këndet e urës dhe elementët mbështetës të saj mbi bazamentin e tokës, janë parashikuar të përballojnë edhe forcën e dallgëve të ujrave, kur ato kalojnë mbi urë, sikundër ka ndodhur shpesh në ditët me rreshje intensive të shiut. Në këtë këndvështrim, ky objekt i ka qëndruar kohës dhe madje vazhdon t’i qëndrojë asaj. Ajo ka shërbyer e shërben për të lidhur fshatin e Bratit me fushën që mban të njëjtin emër dhe fshatin Smokthinë e pjesë të tjera të krahinës së Lumit të Vlorës.
-Ura e Bratit, e tipit me dy harqe-
Ura e Bratit, e shpallur monument kulture, është e tipit me dy harqe, më e madhja e të cilave është ajo që kufizon lumin, ndërkohë që në pjesën tjetër të objektit spikasin dritare që shërbejnë për shkarkimin e ujrave. Ka një gjatësi prej rreth 30 metrash dhe lartësi deri në 9 metra. Me këto karakteristika, ajo vlerësohet si një objekt me mjaft vlerë në këndvështrimin arkitekturor dhe atë historik. Ajo lidh rrugën e vjetër të Karvaneve me atë të Rrëzës, mjaft të njohura në historinë e krahinës së Lumit të Vlorës dhe më gjerë.
-Ura, vendi ku u xhiruan mjaft skena nga filmi “Nëntori i Dytë”-