Loading...

Izet Haxhia pas vendimit të ekstradimit në Shqipëri: “Do të dëshmoj për krimet e Berishës”

Izet Haxhia ka dhënë një intervistë , pas vendimit të Turqisë për ta ekstraduar në Shqipëri.
Zoti Haxhia, informacionet tona pranë Gjykatës së Lartë Turke bëjnë me dije për një vendim të marrë sot nga autoritetet e saj në adresë të personit tuaj. Bëhet fjalë për një vendim ekstradimi në Shqipëri?

Po, u njoftova sot për këtë vendim të Gjykatës së Lartë turke.

Dhe si e pritët këtë vendim?

Gjykata e Lartë e Turqisë pas 12 vjetësh dha vendimin për ekstradimin tim në Shqipëri. Besoj se me këtë vendim fillon edhe kapja e “peshqve të mëdhenj” të krimit e korrupsionit 27 vjeçar në Atdhe.

Ju do vini në Shqipëri, po çfarë ndikimi do të ketë kjo tek arrestimi i atyre që ju i quani “peshq të mëdhenj”?

Atë e di drejtësia e pavarur dhe jo unë, por si duket ekstradimi im do të përdoret nga qeveria shqiptare e cila ka ndikuar me anë të qeverisë turke që të jepet ky vendim i dirigjuar politikisht.

Ju mendoni se ekstradimi juaj në Shqipëri ka ardhur si lobim i qeverisë shqiptare?

Unë jam i gatshëm të zbatoj vendimin e drejtësisë sado që është i dirigjuar politikisht. Është e drejta ime që kur të kthehem të rihap çështje për të cilat jam dënuar në mënyrë të padrejtë dhe theksoj këtu çështjen Hajdari.

Çfarë prisni nga drejtësia e re Shqiptare dhe e ndjeni veten se mund të pastroni figurën tuaj nga akuzat e hedhura apo dënimin e pamerituar siç edhe pretendoni për vrasjen e Azem Hajdarit?

Nga drejtësia e re dhqiptare pres që të jetë e pavarur dhe të zbatojë ligjet në mënyrë korrekte dhe pa ndikime politike, pres që të rihapet çështja Hajdari pasi gjyqi i zhvilluar për atë çështje ka qenë komplet i manipuluar nga të dy krahët politikë dhe në bashkëpunim të plotë mes tyre është dhënë dënimi im i padrejtë.

Është e drejta ime ligjore që buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut që unë të gjyhem përsëri për një çështje për të cilën kam marrë dënim në mungesë pa patur mundësi të mbrohem dhe të dëshmoj të vërtetat që di në lidhje me atë vrasje dhe njerzit e implikuar në të.

A ndeheni të kërcënuar në burgjet shqiptare dhe si mendoni ta përballoni situatën pas shumë e shumë vitesh largim nga Shqipëria?

Nuk kam patur frikë ndonjëherë për jetën time dhe as nuk do të kemë asnjëherë, pavarësisht faktin se shumë njerëz dhe klani Berisha në rradhë të parë ju intereson të më shohin të vdekur, por edhe shumë të tjerëve.

Unë nuk i jam shmangur asnjëherë drejtësisë së asnjë vendi. Kam dashur që në fillim kur është hapur gjykimi i çështjes Hajdari të kthehem e të ballafaqohem me Drejtësinë. Nuk kam asgjë për tu trembu nga asnjë lloj drejtësie por me të vërtetat e mia dua të ballafaqohem përpara gjykatës me ata që janë nxjerrësit në pritë të Azemit, të cilët pasi e përdorën të gjallë po e përdorin edhe sot të vdekur..

A do të dëshmoni kundër Sali Berishës?

I qëndroj të gjithave çfarë kam thënë deri më sot si për Berishën, ashtu edhe për çdo person tjetër dhe në qoftë se drejtësia e pavarur ma krijon mundësinë të dëshmoj para saj, unë do ta bëj këtë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com